Protesta para EVN-së, Fshati Orizare kërkon furnizim me energji elektrike
Pas defekteve të shkaktuara në rrjetin e energjisë elektrike...

Pas defekteve të shkaktuara në rrjetin e energjisë elektrike që furnizon fshatrat e Komunës së Likovës, një grup i revoltuar i banorëve të fshatit Orizare, kanë ardhur para EVN-së në Kumanovë dhe kërkojnë rikthimin e furnizimit me energji elektrike. Nga kompania u kanë thënë se pa ndërhyrje në Sllupçan është e pamundur të rikthehet furnizimi edhe në fshatrat tjerë.
Ata kërkojnë që fshati i tyre me parapagues të rregullt të mos penalizohet, për shkak të fshatit Sllupçan. Për shkak të protestës, të punësuar në zyrat e EVN -së në Kumanovë, për shkaqe sigurie i kanë lëshuar vendet e tyre të punës.
Nga EVN-ja në vazhdimësi përsërisin se përderisa nuk kanë kushte normale dhe siguri për punë nuk do të punojnë në sanimin e defektit. Ndërsa, theksojnë se në fshatrat tjerë të kësaj komune janë sanuar defektet dhe furnizimi me energji elektrike është normalizuar.
"Fshati Sllupçan dhe Orizare akoma janë pa energji elektrike. Përderisa nuk krijohen kushte normale për punë dhe siguri për të punësuarit në Elektrodistribucion, nuk do të punojmë në sanimin e defektit apo punëve të rregullta në këto fshatra.", theksojnë nga EVN-ja.
Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që në mënyrë të rregullt t’i shlyejnë të gjitha borxhet që kanë ndaj kompanive energjetike.
"Çdo qytetar që furnizohet me energji elektrike në vend ka detyrimin të paguajë energjinë elektrike, aq sa ka konsumuar. Ministria e Ekonomisë, në përputhje me kompetencat që dalin nga Ligji për Energjetikë, krijon një mjedis për të reduktuar humbjet në bartjen dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, si dhe përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike. Prandaj kërkojmë që çdo qytetar të paguajë për atë që ka shpenzuar, sepse kështu funksionon ekonomia e tregut.".
Ministria e Ekonomisë: Qytetarët t’i shlyejnë borxhet ndaj EVN-së
Nga Ministria e Ekonomisë ftojnë të gjitha institucionet kompetente që të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre dhe të zgjidhin problemin e furnizimit me energji elektrike në Sllupçan dhe fshatrat përreth dhe të mundësojnë punën e ekipeve të EVN Maqedoni.
Në bazë të të dhënave të EVN-së humbjet e energjisë elektrike në Sllupçan janë 80%, ndërsa pagesën e kryejnë vetëm 20% të banorëve. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
