Pyetje deputetësh, pajisja me shtetësi, Dauti: Mos të zvarriten procedurat
Qytetarët shqiptarë ende përballen me sfida të shumta....

Qytetarët shqiptarë ende përballen me sfida të shumta institucionale për pajisje me shtetësi. Deputetja e ASh-së, Ilire Dauti, prej foltores së Parlamentit kërkoi nga Ministria e Brendshme që të lë justfikimet e llojit se po punohet në rastet konkrete dhe të pajisë në kohë të arsyeshme qytetarët me shtetësi.
Por, ministri i brendshëm, Spasovski, insiston në respektimin e procedurave.
“Në qoftë se me të vërtetë po punohet në përfundimin e këtyre lëndëve, si është e mundur që ka një muaj që 24 përgjigje janë që po vazhdohet të punohet për finalizimin e këtyre lëndëve. Të ishte e vërtetë që me të vërtetë punohet, rezultatet do të ishin sot që ata më në fund kanë marrë shtetësinë.”, - theksoi deputetja e ASh-së, Ilire Dauti.
Spasovski: Jemi institucion, të respektohen procedurat
“Nuk mjafton që vetëm të dorëzoni kërkesë dhe nesër të prisni se do të merret shtetësia, nëse nuk përmbushen kushte të caktuara. Ky është një proces dhe ky është shtet, nuk është shitore në të cilin dikush do të hyjë, do të paguajë dhe do të merr shtetësinë.”, - deklaroi ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski.
VMRO: Të zbardhet “djegia e makinës së Grubit”
Nuk munguan as pyetje për zhvillimet e fundit. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Kovaçki, pyetje drejtuar Prokurorisë për përndjekje penale të zëvendëskryeministrit Grubi, pas makinës së djegur më 22 korrik, e që nuk ka figuruar në listën anketuese të tij.
“A ngritët procedurë hetimore për rastin e makinës së djegur dhe a kërkuat ndriçim të plotë duke pasur parasysh se dënimi me të cilin mund të përballet zëvendëskryeministri i parë është dënim me burg prej gjashtë muajve deri në disa vite dhe dënim me të holla, nëse personi zyrtar fsheh origjinën e pronës së panjohur?”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki.
“Hetimi ngrihet kundër personit konkret. Kur do të mblidhen fakte të mjaftueshme sa i takon veprës penale dhe kryerësit eventual, atëherë prokuroria do të hap hetim përkatës.”, - theksoi prokurori publik, Lubomir Joveski.
Koncesionet për “Ilovicën”, përplasje midis opozitës dhe Qeverisë
Nga VMRO-ja vazhduan me pyetjet përse Qeveria ka lejuar bashkimin e koncesioneve për hapjen e minierës në Ilovicë, që sipas kryeministrit duhet drejtuar VMRO-ja.
“Përse lejuat bashkimin e koncesioneve pasi që e dinit se me këtë dhe mos përmbushjen e së njëjtës i jepni të drejtën ndërmarrjes së Destanit që të mund të padisë Maqedoninë dhe të humb në gjykatën e arbitrazhit dhe t’i paguhen mbi 1 miliardë euro para të buxhetit.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski.
“Është publikuar edhe procesverbali për bashkimin e koncesioneve nga Qeveria juaj. E dini se çfarë shkruan në të? Nuk ka kurrfarë vërejtje që të bashkohen. Edhe Prokuroria ka qasje në këto dokumente.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Deputetët e shumicës kërkuan shpjegim nga kryeministri për rritjen e pagave, që sipas kryeministrit do të vijojë sipas marrëveshjes kolektive afatgjate, e cila nuk do të jetë peng e vullnetit të politikanëve, por do të realizohet me metodologji të posaçme sistematike. (Meral Ismaili, TVM2)
