Niger, ushtria bën grushtshtet
Ushtarët në shtetin e Afrikës Perëndimore të Nigerit...

Ushtarët në shtetin e Afrikës Perëndimore të Nigerit ka bërë grushtshtet, ndërsa presidenti i vendit, Mohamed Bazoum, mbahet nga trupat e gardës presidenciale që nga orët e para të së mërkurës.
Ushtria në një prononcim në televizionin kombëtar pretendon se me anë të grushtshtetit ka shfuqizuar Kushtetutën, kanë pezulluar të gjitha institucionet dhe kanë mbyllur kufijtë e vendit.
Garda presidenciale me të shtëna në ajër ka arritur të shpërndajë përkrahësit e presidentit Bazoum në kryeqytetin Niamej.
“Forcat e mbrojtjes dhe sigurisë, të ribashkuar si Këshilli nacional për siguri të shtetit ka vendosur t’i japë fund regjimit të deritanishëm. Ky është rezultat i degradimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë, politika jo e mirë shoqërore dhe ekonomike.”, - deklaroi zëdhënësi i puçistëve, Amadu Abduraman.
Por, presidenti Bazoum në një postim në Twiter ka shkruar se do të arrijnë ta ruajnë demokracinë, ndërsa shton se në këtë duhet të jenë të sigurt të gjithë qytetarët, të cilët e duan demokracinë dhe lirinë. Bazoum është një aleat kryesor i perëndimit në luftën kundër militantëve islamikë në Afrikën Perëndimore. Unioni afrikan, ShBA-ja, BE-ja dhe OKB-ja e kanë dënuar grushtshtetin.
“Me vëmendje e ndjekim situatën në Niger. Bisedova me presidentin Bazoum dhe i kam thënë se e ka përkrahjen e ShBA-së, si lider i zgjedhur në mënyrë demokratike në Niger. Kërkojmë të lirohet menjëherë. E dënojmë çdo tentativë që me forcë të merret pushteti.”, - theksoi sekretari shtetëror i ShBA-së, Entoni Blinken.
Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka folur me presidentin dhe i ka ofruar mbështetjen e plotë të OKB-së.
Trazirat në Nigerin me rreth 140 milion banorë vijnë në një periudhë kur fuqitë perëndimore janë të shqetësuara për operacionet e grupit mercenar “Wagner” në këtë rajon të paqëndrueshëm. Në shtetin fqinj Mali, mercenarët rusë të armatosur rëndë po ndihmojnë regjimin ushtarak për t’i luftuar kryengritësit xhihadistë.
Nigeri po përballet me dy kryengritje islamike: njëra në jugperëndim, e cila erdhi nga Mali fqinj në vitin 2015 dhe tjetra në juglindje, ku janë të përfshirë xhihadistët të bazuar në Nigerinë verilindore.
Grupet militante aleate të Al-Kaedës dhe Shtetit Islamik janë aktive në vend. Presidenti Bazoum, i cili u zgjodh në mënyrë demokratike në vitin 2021, është një aleat i ngushtë i Francës dhe vendeve të tjera perëndimore.
Nigeri ka përjetuar katër grushtshtete dhe tentativa të shumta të tjera që nga pavarësimi nga Franca në vitin 1960.
Edhe dy vende fqinje, Mali dhe Burkina Faso, kanë përjetuar grushtshtete të shkaktuara nga kryengritjet xhihadiste gjatë viteve të fundit. (Gyltene Sinani, TVM2)
