Shqipëri, arrestime me urdhër të SPAK-ut, përfshirë edhe zyrtarë
SPAK-u po zhvillon në një megaoperacion në bashkëpunim me Policinë e Shtetit....

SPAK-u po zhvillon në një megaoperacion në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për të cilët thuhet se janë 15 urdhër-arreste. Ndërsa, janë arrestuar 6 persona.
Gjatë operacionit në Tiranë, Shkodër e Kukës janë vënë në pranga zyrtarë të lartë shtetërorë dhe eksponentë të krimit të organizuar.
Deri tani mësohet se SPAK-u ka në dorë një celular, me zbërthimin e të cilit u gjetën shumë informacione dhe prova kompromentuese, deri edhe fakte për një vrasje, për hesap të lojërave të fatit.
I arrestuar për llogari të këtij operacioni është Olti Bistri, aktualisht zyrtar policie. Në pranga ka përfunduar prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, anëtari i bandës së Bajrave në Shkodër, Astmer Bilali, biznesmeni i kazinove dhe ndërtimit, Pëllumb Gjoka, ish-polici Ardit Hasanbebaj, si dhe shoqëruesi i tij.
Gjatë kontrolleve për këtë mega-operacion që është akoma në zhvillim janë sekuestruar armë dhe municione, bashkë me prova të tjera materiale. Disa persona të shpallur në kërkim rezultojnë se nuk janë brenda vendit dhe ekzekutimi i urdhër-arresteve për momentin është i pamundur.
Në mesin e tyre në kërkim dyshohet se ka të tjerë anëtarë të fisit Bajri në Shkodër. Kjo është hera e parë që SPAK-u arreston zyrtarë të këtij niveli në një operacion të vetëm, ndërsa përgjimet për një kohë të gjatë kanë mundur finalizimin e tij. (Luljeta Ndoka, TVM2)
