RMV-ja dhe Mali i Zi bashkëpunim në sferën e sigurisë sajber
Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu...

Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu, dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Marash Dukaj, nënshkruan Memorandum mirëkuptimi në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.
Forcimi i sigurisë kibernetike, mbrojtja e sistemeve tona, shkëmbimi i informacionit është një nga vlerat më të rëndësishme për sektorin e sigurisë kibernetike, është fokusi i këtij Memorandumi, tha ministri Aliu.
Edhe sipas Ministrit të Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, bashkëpunimi rajonal, ndërkombëtar është i domosdoshëm për një luftë efikase kundër sajber kërcënimeve.
Edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në takimin e sotëm me ministrin e Administratës të Malit të Zi, Marash Dukaj, e përshëndeti nënshkrimin e Memorandumit për Bashkëpunim ndërmjet Ministrive të Administratës Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit të të dy vendeve në Bashkimin Evropian. Xhaferi e njoftoi Dukajn për procedurën e filluar për ndryshimin e Kushtetutës, si parakusht për vazhdimin e integrimit evropian dhe proces që duhet të vazhdojë më 18 gusht në seancën tashmë të caktuar plenare të Kuvendit.
Ministri i Administratës i Malit të Zi, Dukaj, tha se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, sepse si vende të vogla, së bashku mund të arrijmë më shumë në përpjekjet tona për integrimin evropian. Në fund të takimit, u potencua se RMV-ja dhe Mali i Zi do t’i tejkalojnë sfidat e ardhshme dhe do të vazhdojnë me sukses rrugën drejt Bashkimit Evropian. (Flutura Latifi, TVM2)
