Rritja e TVSh-së, opozita kundër, pasi nxit inflacionin
Propozimi qeveritar për rritjen e TVSh-së....

Propozimi qeveritar për rritjen e TVSh-së për produktet ushqimore nga 5 në 10% mori kritika të shumta nga deputetët e VMRO – DPMNE-së në Komisionin për çështje evropiane, të cilët u shprehën se kjo do të nxiste inflacionin.
Ata më kot kërkuan që produktet të mbeten me TVSh prej 5%, si dhe listën e produkteve të cilat do të pësojnë rritje, pasi u refuzuan nga shumica e deputetëve.
“Tani, sërish po nxitet inflacioni me rritjen e TVSh-së, me të cilin parashikohet që TVSh-ja për disa produkte ushqimore nga 5% të bëhet 10%, me ç’rast me akte nënligjore i merret e drejta ekskluzive që t’i rregullojnë prodhimet të cilat do të kenë tatime me 5% dhe ato të cilat do të kenë 10%.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Dajanço Eftimov.
“Këtë që po shkaktoni tani mund vetëm ta përkeqësojë inflacionin dhe ta rrisë atë, posaçërisht faktin që po dyfishoni TVSh-në për mbi 4 mijë produkte ushqimore duke thënë se nuk bëhet fjalë për produkte bazike dhe i sollët qytetarët në bukë e kripë.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov.
Sipas opozitës, shteti për të zgjeruar bazën tatimore do të duhet të detyrojë të gjithë të paguajnë tatimet.
“Shteti të gjejë mekanizëm dhe të pengojë punën në të zezë, ndërkaq të gjithë ata që nuk paguajnë tatime të nisin dhe bëjnë këtë. Kështu, do të përmirësojmë gjendjen dhe kështu do të përmirësojmë këto 140 milion që u mungojnë dhe të cilat dëshironi t’i mblidhni në kurriz të kompanive dhe qytetarëve me të ashtuquajturën reformë tatimore.”, - u shpreh deputetja e VMRO-DPMNE-së, Lidija Petkovska.
Reformat tatimore, sipas deputetëve të VMRO-së, nuk janë përpiluar me kërkesat e odave ekonomike.
Ndërkaq, gabim i madh bëhet edhe me rritjen e çmimit të paletave.
Deputetët e shumicës dhe opozitës u dakorduan që me amendament të përbashkët të kërkojnë që TVSh-ja për paletat të mbetet 5%. (Meral Ismaili, TVM2)
