Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: RMV-ja para një vetoje prej brenda

28.07.2023 15:45

Maqedonia e Veriut për herë të parë në histori....

Maqedonia e Veriut për herë të parë në histori mund të përballet me një veto prej brenda për integrimeve euro-atlantike, paralajmëron kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke aluduar në bllokimin që po ia bën VMRO-DPMNE-së procesit të ndryshimeve kushtetuese. Kundër ndryshimeve kushtetuese janë qarqe ruse dhe politikanë të paguar, tha Kovaçevski, sipas të cilit amendamentet kushtetuese nuk ndërhyjnë në asnjë çështje identitare.

“Nëse deri më tani vetoja për Maqedoninë e Veriut për integrimet euro-atlantike vinte nga jashtë, sot për herë të parë vetoja mund të vijë nga brenda shtetin, edhe atë nga partitë politike, të cilat në mënyrë deklarative thonë se janë për integrim, por historikisht e kanë dëshmuar se janë kundër integrimeve euro-atlantike. Ajo që është më frapante, ne për herë të parë, pas 32 vitesh pavarësi, kemi politikan që thotë se agjenda evropiane nuk është e njëjtë me atë maqedonase. Asnjë politikan në vend, nuk e ka thënë ndonjëherë këtë.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Mariçiq: E rëndësishme të votohen këtë vit

Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, tha se Qeveria nuk do të heq dorë nga përpjekjet për miratimin e amendamenteve kushtetuese deri në fund të mandatit të këtij Kuvendi dhe kësaj Qeverie, por e rëndësishme, sipas tij është që ndryshimet kushtetuese të ndodhin këtë vit.

“Ajo që kemi treguar në vepër është se Qeveria është realisht e gatshme për bisedime serioze dhe thelbësore me opozitën për të arritur një zgjidhje për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Ne ofruam edhe një format politik, në të cilin opozita do të merrte pjesë në Qeveri, ofruam edhe mundësinë e dhënies së garancive shtesë për institucionet tona se si të sillen në negociata, por këmbëngulja jonë është që gjithçka të mbetet brenda kornizës së negociatave.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq. 

Mickoski: Të shpallen zgjedhje të parakohshme

Nga ana tjetër, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, shpreh qartë qëndrimin kundër ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, edhe kryeparlamentari Xhaferi e pranoi se nuk ka shumicë për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Bëri thirrje për shpërndarje të Kuvendit dhe organizim të zgjedhjeve të parakohshme.

“Disa persona në udhëheqësinë e LSDM-së dhe disa në udhëheqësinë e BDI-së, të frikësuar se me realitetin e ri politik do t’i humbin pozicionet e tyre në skenën politike dhe pjesë prej tyre do t’i humbin pozicionet në parti dhe privilegjet për tenderë të kurdisur, luftojnë që të mos ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse duam që Maqedonia e Veriut me të vërtetë të hapërojë drejt BE-së, atëherë orë më parë, 120 deputetë duhet të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Përndryshe, kryeparlamentari Talat Xhaferi, ditë më parë tha se në qoftë se deri në mbylljen e seancës plenare nuk sigurohen votat për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, atëherë votimi do të anulohet deri në krijimin e një klime pozitive në Kuvend. (Ersan Pajaziti, TVM2)