Maqedoni
Nryshimet kushtetuese, Ramadani: Pritet presion ndërkombëtar
29.07.2023 15:29
Kuvendi ka nisur procedurën parlamentare për Ndryshimet Kushtetuese...

Kuvendi ka nisur procedurën parlamentare për Ndryshimet Kushtetuese, por kjo nuk ka bindur VMRO-DPMNE-në opozitare të ndryshojë qëndrimin. Sipas tyre, ndryshim të Kushtetutës, me diktat bullgar nuk mund të ketë.
Analisti politik Ismet Ramadani pret të shtohen presionet e faktorit ndërkombëtar për t’i bindur deputetët e VMRO-DPMNE-së që të kalojnë ndryshimet kushtetuese. Ai për TVM2 thotë se opozita maqedonase po mban një qëndrim destruktiv, karshi integrimeve të vendit, por edhe kundër sugjerimeve të faktorit ndërkombatër duke kontribuar kështu edhe në krijimin e tensioneve ndëretnike në vend.
“Unë jam i bindur se në shtator faktori ndërkombëtarë do të jetë shumë më ekspresiv, presioni do të jetë ndaj VMRO-DPMNE-së në stilin merre ose lere sidomos nga ShBA-të dhe BE-ja, sepse kjo qështje prek interesat amerikane. Veprimi i diplomacisë amerikane është bulldozhere dhe VMRO-ja nuk ka ndonjë potencial që t’i qëndrojë atij presioni dhe Maqedonia, respektivisht, VMRO-DPMNE-ja është një klysh shumë i vogël, pra për t’i qëndruar presioneve nga faktori ndërkombëtar”, u shpreh analisti politik Ismet Ramadani.
Ramadani shprehet i bindur se opozita shqiptare nuk do t’i bllokojë ndryshimet kushtetuese, edhe pse nuk janë pranuar kërkesat e tyre. Sipas tij, me veprimin e tyre konstruktiv mund ta bindin faktorin maqedonas, që ta pronojnë së paku largimin e formulimit të turpshëm prej 20 për qind për shqiptarët.
“Unë mendoj se opozita shqiptare kërkesën për ndryshimin e 20 për qindëshin dhe nomimin e drejtë të gjuhës shqipe në Kushtetutë është duke e kërkuar në mënyrë të kulturuar dhe me një edukatë politike, e cila u përket shqiptarëve në këtë drejtim. Në këtë rast me moralin politik që e kanë pala maqedonase ndaj shqiptarëve, pikërisht shqiptarët në momente të rëndësishme dhe kyqe dhe vendimtare do të sillen ashtu si duhet të sillen”, theksoi Ramadani.
Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe deputetët e kësaj partie edhe njëherë në komisionin parlamentar kanë bërë të ditur se nuk do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese.
FITIM KRYEZIU
