Ekonomi
Panair për ndërtimtari në Shkup, do të ofrohen mbi 3.000 banesa me lirim
03.03.2015 15:28
Prej sot e deri më 7 mars do të jetë i hapur Panairi i 12 -të Ndërkombëtar për Ndërtimtari, Materiale Ndërtimore dhe Mekanizëm Ndërtimor...

Prej sot e deri më 7 mars do të jetë i hapur Panairi i 12 -të Ndërkombëtar për Ndërtimtari, Materiale Ndërtimore dhe Mekanizëm Ndërtimor, ku do të prezantohen mbi 300 kompani ndërtimore.
Në kuadër të Panairit në “Metropolis Arena” në Shkup, për të pestën herë do të mbahet edhe Panairi për Patundshmëri dhe Investime “RealExpo”. Partner i panairit është Ministria e Financave me projektin “Bli shtëpi, bli banesë".
Trendet pozitive në sferën e ndërtimtarisë në Maqedoni pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen, u tha në hapje të panairit.
“Ndërtimtaria si degë është tejet e rëndësishme duke u bazuar në sasinë e punës, numrin e personave që janë të punësuar dhe rëndësinë e ekonomisë dhe jetës së qytetarëve. Nga këto arsye, qeveria viteve të kaluara e ndihmoi ndërtimtarinë dhe ka investuar nëpërmjet investimeve kapitale sasi të konsiderueshme mjetesh të cilat ndihmojnë të krijohet punë për kompanitë vendore të ndërtimit. Për këtë vit, në buxhet janë paraparë për këtë qëllim 340 milion euro dhe së bashku me mjetet në ndërmarrjen për rrugët shtetërore, për projekte infrastrukturore ka punë për kompanitë vendore të ndërtimit për 600 milion euro”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
Edhe kryetari i Odës Ndërtimore, Robert Hot, vlerësoi se ndërtimtaria është shtyllë e ekonomisë vendore.
“Ndërtimtaria viteve të kaluara ishte shtyllë e zhvillimit ekonomik, ndërsa të gjithë projektet e filluara konfirmojnë se edhe në të ardhmen tendenca e rritjes do të vazhdojë”- tha kryetari i Odës Ndërtimore, Robert Hot.
Në panair do të ofrohen dhe shiten prodhime dhe shërbime për punë, mirëmbajtje, modernizim, rinovim dhe pajisje të objekteve.
Gjatë panairit, për çdo ditë është paraparë të mbahen aktivitete profesionale programore në tema për efikasitetin energjetik dhe sistemin e fasadave dhe materialeve eko-inovative, si dhe ligjëratë në temën "Konceptet dhe projektet në arkitekturë”.
Gjatë panairit, vizitorëve do t'u ofrohen mbi 3.000 banesa me lirim edhe deri në disa mijë euro, oferta që do të vlejnë vetëm për ditët e panairit.
GYLTENE SINANI
