Medreseja dhe Fakulteti i Shkencave Islame do të kyçen në kuadër të sistemit arsimor

03.03.2015 15:32

MASH-i dhe BFI u dakorduan që të formojnë grupe të përbashkëta për të shqyrtuar ndryshimin eventual të ligjeve për përfshirjen e Shkollës së Mesme Fetare “Isa Beu” dhe Fakultetin e Shkencave Islame në kuadër të sistemit shtetëror arsimor...

Deri më tani këto institucione kanë funksionuar në kuadër të BFI-së dhe pas përfundimit të shkollave të mesme nxënësit nuk kanë mundur t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore, duke u pamundësuar regjistrimi i tyre në fakultete tjera përveç atij të Teologjisë.

Sipas ministrit të Arsimit, kjo shkollë do të regjistrohet në regjistrin e shkollave të mesme dhe në të ardhmen do të tejkalohen  problemet e kësaj natyre.

“Vitin e ardhshëm këto trajtime të jenë për ne të tejkaluara, gjithashtu shpreha gatishmërinë e MASH-it që nga ky vit të fillojë me aktivitete të përbashkëta për financimin e një pjese të Fakultetit të Shkencave Islame, ashtu siç kanë qenë më herët të financuara edhe fakultetet tjera teologjike, sepse MASH-i duhet t’i financojë njëjtë të gjitha institucionet arsimore në vend”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.

Ndërkohë, kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, shprehet tejet i kënaqur nga ky takim, sepse, siç thotë ai, ëndrra e kamotshme e këtyre institucioneve fetare veç më po shndërrohet në realitet.

“Medreseja “Isa Beu” dhe Fakulteti i Shkencave Islame që kanë qenë të përfaqësuara në këto biseda, jemi pajtuar që së bashku punët të vazhdojnë me koordinim të përbashkët ku është interesi institucional, por edhe interesi i përgjithshëm në RM-së”- tha kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Ministri Ademi informoi po ashtu se takimi i parë i grupeve punuese për arsimin sipëror do të mbahet të enjten, me qëllim të hartimit të konceptit dhe tekstit të ri të Ligjit për Arsim Sipëror. (Flutura Latifi, TVM2)