Maqedoni

Marrëveshja kolektive, përmbush apo jo kërkesat e administratës?

30.07.2023 16:09

Në bazë të marrëveshjes së re kolektive, punonjësit në sektorin publik...

Në bazë të marrëveshjes së re kolektive, punonjësit në sektorin publik nga shtatori do të kenë rritje të rrogës për 10%. 
 
Por çfarë përmban në detaje kjo marrëveshje? Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë dhe sindikatave të vendit, nga muaji mars të vitit 2025, paga bazë bruto do të përbëhet nga paga mesatare dhe koeficienti i kompleksitetit të një vendi pune. 
 
Paga bazë bruto llogaritet duke shumëzuar pagën mesatare bruto të vitit të kaluar me koeficientin e kompleksitetit të punës. 
 
Përveç rritjes prej 10% në shtator të këtij viti, deri në vitin 2025 nuk është parashikuar ndonjë rritje tjetër e pagave. Përjashtim do të bëhet vetëm nëse rriten edhe shpenzimet për jetesë. 
 
“Nëse indeksi i kostos së jetesës në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, krahasuar me indeksin e kostos së jetesës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, kalon 3%, paga bazë bruto e punonjësve të sektorit publik rritet në përqindje me diferencën deri në 3%" thuhet në marrëveshjen e re kolektive të nënshkruar mes qeverisë dhe sindikatit. 
 
Gjithashtu në marrëveshjen e re kolektive definohet edhe pagesa e shpërblimeve jubilare për punë të vazhdueshme me të njëjtin punëdhënës , të cilat do të paguhen në këtë mënyrë  “Për 10 vjet punë të pandërprerë – do të paguhet 50% i pagës mesatare neto në shtet të paguar për vitin paraardhës; • Për 20 vjet – 100% i pagës mesatare neto; Për 30 vjet – 150% I pagës mesatare neto në shtet dhe • Për 40 vjet përvojë pune – 200% i pagës mesatare neto në shtet të paguar për vitin paraardhës.”, qëndron në marrëveshjen kolektive. 
 
Punonjësit në sektorin publik nga viti 2024 do të fitojnë edhe regres për pushim vjetor në vlerë prej 30% nga paga mesatare neto e paguar për vitin paraprak, kurse regresi për pushim vjetor për vitin 2023 është 10.000,00 denarë neto dhe do të paguhet jo më vonë se dhjetori i këtij viti.
 
Nga LSM thonë se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin publik, sindikatat fitojnë një pozicion më të fortë negociues në negociatat që do të zhvillojnë me punëdhënësit dhe fitojnë një bazë të qëndrueshme për rregullimin e të drejtave më të favorshme për punëtorët.
 
ERSAN PAJAZITI