Akademia Ushtarake, u promovua klasa e 23-të e nëntogerëve

31.07.2023 13:25

Në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski” në Shkup....

Në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski” në Shkup, u bë promovimi i klasës së 23-të të nëntogerëve. Nga 32 nëntogerët e sapo diplomuar, 27 janë pjesëtarë të ARM-së, ndërsa pesë nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Nikolla Anteski në emër të nëntogerëve të sapodiplomuar tha se para katër vitesh kishin nisur rrugëtimin në akademi të vendosur për të nisur këtë rrugë sfiduese.    

“Ne patëm mundësinë të jetojmë dhe punojmë në katër vitet e fundit me kadetë që nuk mbajnë të njëjtin flamur si ne në mëngët e tyre, por në to fituam miq të sinqertë në Bosnjë dhe Hercegovinë.”, - deklaroi nëntogeri, Nikola Anteski.

Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, tha se nëntogerët kanë marrë njohuri të vlefshme për një oficer të NATO-s.

“Ju keni kaluar një proces të gjatë dhe sfidues arsimor, të cilin e keni përfunduar me sukses. Falë programeve moderne të studimit në përputhje me parimet e edukimit ushtarak të NATO-s, mundësinë e shkëmbimit të stafit pedagogjik dhe kadetëve përmes programit Erasmus Plus, si dhe përmes bashkëpunimit dypalësh të mbrojtjes me aleatët tanë, ju patë mundësinë të merrni njohuri dhe aftësi, të vlefshme për një oficer të vërtetë të NATO-s. Ju qëndroni këtu para nesh sot, pikërisht për shkak të vendosmërisë suaj, gati për të vazhduar dhe për të arritur qëllime më të larta.”, - theksoi ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska.

Dekani i Akademisë Ushtarake tha se tani këta të rinj janë pjesë e familjes se ARM-së të gatshëm për t’u përballur me sfidat.

“Akademia Ushtarake paraqet një institucion të shenjtë që krijoi gjenerata që u përballën dhe kaluan shumë konflikte, kriza dhe fatkeqësi natyrore, ulje-ngritje, duke dëshmuar vlerat mbi të cilat mbështetet institucioni.”, - u shpreh dekani i Akademisë Ushtarake, Mitko Bogdanoski.

Në këtë promovim u theksua se Akademia Ushtarake, si institucioni i vetëm i arsimit të lartë në vend, luan një rol kyç në prodhimin e kuadrove të reja cilësore, oficerë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, qëllimi kryesor i të cilëve është siguria dhe mbrojtja kombëtare. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)