Komisioni për çështje evropiane, deputetët votojnë propozim-ligjin për tatimin mbi fitim
Komisioni parlamentar për çështje evropiane....

Komisioni parlamentar për çështje evropiane kaloi në procedurë të mëtejme ndryshimet e ligjit për tatim mbi fitimin, duke refuzuar dy amendamentet e VMRO – DPMNE-së.
Deputetët opozitar kërkuan që inspektorit tatimor t’i hiqet e drejta që të dënojë kompanitë pesëfish më shumë nëse fitimin nuk e investojnë në sfera të caktuara.
Nga VMRO-DPMNE-ja kishin vërejtje edhe për heqjen e ndihmesës financiare për sportin.
“Askund në botë nuk ka rast ku zëvendëskryetari i partisë në pushtet është drejtor i drejtorisë për të ardhura publike. Askund në botë nuk ka sikurse tek ne, që kryetari i degës komunale të LSDM-së është përgjegjës për DAP-in në Shkup. Në Shkup ka tatim të papaguar në mbi 100 milion euro.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Zëvendësministri i Financave Nikollovski refuzoi propozimet e opozitës me arsyetimin se sistemi tatimor është adekuat dhe ndalon keqpërdorime nga persona juridik dhe fizik.
“Deri më tani gjithçka ka funksionuar sipas ligjit të njëjtë, gjegjësisht vauçerët janë realizuar nga shoqatat e sportit, pasi që ligji ekzistues është në fuqi dhe ende vlen. Deri vitin që vjen do të kemi ligj të ri, do ta diskutojmë kur të vijë në rend dite në seancë.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollovski.
Komisioni paraprakisht votoi për tatimin e solidaritetit dhe TVSh-në, si pjesë e ligjeve reformuese tatimore. (Meral Ismaili, TVM2)
