Kuvend, miratohen ndryshimet në Ligjin për Energjetikë
Me 63 vota për dhe një kundër, deputetët në kuvend, me procedurë të shkurtuar miratuan ndryshimet në Ligjin për Energjetikë…

Me ndryshimet në fjalë qartësohet kontrolli energjetik, ndërsa certifikata energjetike do të duhet të sigurojnë vetëm objektet e reja të të gjitha kategorive, ndërsa për objektet ekzistuese e njëjta të vlejë vetëm pas hyrjes së Maqedonisë në BE. Risi tjetër gjithashtu është edhe ripërtëritja e certifikatave energjetike e cila nuk do të ripërtërihet në çdo tre vjet, por në çdo 10 vite.
Deputetja, Roza Tupuzovska-Karevska, nuk u pajtua me ndryshimet e ligjit.
“Me këto ndryshime nuk e respektoni nenin 129 të Ligjit ekzistues për Energjetikë. Me ndryshimet nuk po respektohen standardet evropiane dhe ligjet për efikasitet energjetik. Kjo do të jetë në dëm të qytetarëve për shkak të benificioneve për ta dhe mjedisit jetësor në përgjithësi”- deklaroi deputetja, Roza Tupuzovska–Karevska.
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, sqaroi se për objektet e përhershme prolongohet certifikata për efikasitet energjetik, derisa për objektet e reja pronarët do të duhet ta posedojnë atë.
“Arsyeja për prolongimin është ajo që Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria mundohen të hapin fond të ri, i cili do të quhet fond për efikasitet energjetik dhe i cili duhet t'ju ndihmojë qytetarëve nga objektet e përhershme me subvencionim për efikasitet energjetik”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Deputetët, ndërkohë, miratuan edhe plotësimet në Ligjin për Punë të Brendshme, ndërsa në lexim të mëtutjeshëm është dhënë edhe propozim-ligji për shpallje të lokalitetit të park-pyllit “Gazi Babë” në “Park i natyrës”.
Me këtë rast, deputeti, Ramiz Merko, ngriti shqetësimin lidhur me pronat private në hapësirat e zonës së përkufizuar me ligj, ndërsa Svetllana Jakimovska, propozuese e ligjit, tha se të gjitha çështjet e tilla do të shqyrtohen dhe do zgjidhen në kuadër të Ligjit për Marrëdhënie Pronësoro-juridike. (Naim Ramadani, TVM2)
