Dorëheqjet e BDI-së, VMRO: Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë

31.07.2023 15:21

VMRO-DPMNE-ja thotë se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese....

VMRO-DPMNE-ja thotë se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese, edhe pasi ministrat e BDI-së kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, të cilat do të hyjnë në fuqi në momentin që opozita do të japë “dritën jeshile” për amendamentet kushtetuese.

Nga kjo parti, kërkojnë që dorëheqje të dorëzojë edhe LSDM-ja, teksa këmbëngulin se rrugëdalja nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Ndryshime kushtetuese me manipulime të tilla nuk do të ketë. Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është i qartë. Nëse do Artan Grubi, menjëherë le të dorëzojë dorëheqje, por problem nuk është vetëm BDI-ja por edhe LSD-ja të japë dorëheqje të parevokueshme dhe të kalojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, gjithçka tjetër është stërzgjatje dhe luajtje lodrash. Është mirë që BDI-ja pas 20 viteve pushtet është e gatshme të shkojë në opozitë, prej ku do të mund të përgjigjen për krimin dhe ta dëshmojnë pafajësinë e tyre. Sa i përket deklaratës së Artan Grubit, mendoj se më vështirë e ka LSD-ja sesa BDI-ja që ta pranojnë idenë që Artan Grubi edhe "de fakto" të mos u bëhet kryeministër.”, - deklaroi Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE-ja.

Ndryshimet kushtetuese, LSDM: VMRO ta dëshmojë nëse është pro BE-së

Nga LSDM-ja theksojnë se së bashku me BDI-në dëshmuan se prioritet kanë interesin shtetëror dhe jo partiak, ndërsa tani e ka radhën Mickovski që të dëshmojë nëse me të vërtet mbështet integrimin evropian.

“Duke e lënë interesin shtetëror mbi atë partiak, LSDM-ja dhe BDI-ja tregojnë përgjegjësi për qëllimin kulmorë strategjik, e ajo është e ardhmja evropiane e vendit dhe e të gjithë qytetarëve tanë. Ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në procedurë parlamentare, janë publikuar dhe pasi përmbajtja e tyre është e qasshme publikisht, askush, përfshirë dhe Mickoksin, nuk ka asgjë kundër ndryshimeve të tilla. Tani të nderuar, radhën e ka Hristijan Mickoski të dëshmojë nëse ka kapacitet shtetëror, nëse i është me rëndësi e ardhmja evropiane e vendit apo kujdeset vetëm për kolltukun e tij.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM-ja.

Kreu i integristëve, Ali Ahmeti, të dielën bëri të ditur se ministrat dhe të gjithë funksionarët e BDI-së, dorëhiqen dhe dorëheqjet do të hyjnë në fuqi menjëherë pas të miratohen ndryshimet kushtetuese. (Florije Kamberi, TVM2)