Qafë-Thanë, pika kufitare, vetëm me një kontroll
Nga kjo e hënë, pika kufitare në Qafë-Thanë....

Nga kjo e hënë, pika kufitare në Qafë-Thanë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të funksionojë vetëm një kontroll i përbashkët kufitar. I shoqëruar nga homologu i tij Dimitar Kovaçevski, kryeministri Edi Rama theksoi se kjo pikë e re lehtëson zhvillimin e shkëmbimeve tregtare mes vendeve.
“Është një moment i rëndësishëm, sepse më në fund ua lehtësojmë kalimin në këtë pikë dhe i hapim një shtysë të mëtejshme jo vetëm shkëmbimeve tregtare, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve tona në tërësi pa harruar dhe zhvillimin e turizmit. Shqipëria po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj. Ka shumë pengesa që vijnë nga inercia e së shkuarës dhe nga paragjykimi për liberalizmin e lëvizjes. Ky është një hap i rëndësishëm, por qëllimi final është unifikimi i doganave, që do të vijë me integrimin e plotë të Shqipërisë dhe RMV-së në BE, por ne nuk kemi pse presim BE-në për të avancuar këtë ide. Ta bëjmë hapësirën mes nesh, një hapësirë që bashkëjetohet apo bashkëveprohet në BE pa qenë në BE.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama dhe homologu maqedonas njoftuan se dy vendet po punojnë që së shpejti të jetë gati edhe Korridori 8.
“Kemi bërë shumë përpjekje për rizgjimin e këtij projekti si pjesë e një të shkuare të ish-rrugës Egnatia dhe si pjesë e rrjetit evropian të infrastrukturës. Kjo na jep një tjetër energji pozitive dhe një tjetër burim mbështetjeje nga BE-ja. Presim dhe projektin që lidh Bunën përmes urës së re me Balldrenit dhe kështu do të kemi një korridor të standardeve evropiane.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Për 5 vite do të kemi infrastrukturën më të mirë në Ballkan. Ky korridor mund të ketë financim në BE dhe do të mundësojë realizimin e hekurudhës. Unë jam një prej atyre që përsërit se nuk na duhen në kufi. S’ka në BE, s’ka pse të ketë asnjë Ballkan. Marrëdhëniet dypalëshe janë më të mira se kurrë.”, - u shpreh kryeministri i RMV-së, Dimtar Kovaçevski.
Vendimi për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë u miratua në mbledhjen e dy qeverive mbajtur më 14 nëntor 2022.
Qafë-Thana është pika kufitare më e rëndësishme që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në Shqipëri kanë hyrë nga Qafë-Thana mbi 770 mijë shtetas, mbi 352 mijë automjete. (Luljeta Ndoka, TVM2)
