Maqedoni

BDI, pika e përbashkët kufitare nismë historike

31.07.2023 18:19

Bashkimi Demokratik për Integrim, e ka vlerësuar si historike vendosjen e pikës...

Bashkimi Demokratik për Integrim, e ka vlerësuar si historike vendosjen e pikës së të përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Qafë Thanë.                                                                                         
“Bashkimi Demokratik për Integrim e cilëson si hap historik lëshimin në përdorim të vendkalimit të përbashkët kufitar me Republikën e Shqipërisë në Qafë Thanë me një pikë të vetme kontrolli (One Stop Shop). Ky model funksionimi është reflektim i një qasje progresive nga të dyja shtetet për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërfqinjësore përmes thjeshtësimit të procedurave burokratike dhe lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave. Sistemi i këtillë i realizimit të kontrollit kufitar është edhe një premtim i realizuar nga programi ynë për të eleminuar kolonat e gjata, për të përforcuar bashkëpunimin e ndërsjelltë ekonomik dhe në sferën e turizmit. Ky projekt bashkë me projektin më të madh infrastrukturor në historinë e vendit, Korridorin 8 do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në përmirësimin e kapaciteteve operative të kompanive dhe në përgjithësi do të ndikojë dukshëm në zhvillimin ekonomik të vendeve tona. Mirëqenia e përbashkët është e mundur vetëm kur ia lehtësojmë njëri – tjetrit, kur mendojmë dhe veprojmë bashkë pa barriera në rrugën e zhvillimit të përbashkët. BDI si pjesë e koalicionit qeverisës mbetet e përkushtuar për implementimin e këtij modeli bashkëkohor edhe në të gjitha vendkalimet tjera kufitare me fqinjtë tanë. Na duhet bashkim në rrugën e tejkalimit të sfidave”, thonë nga BDI.