Maqedoni

Shembet ura, bllokohen mbi 100 familje në Kumanovë

03.03.2015 16:27

Shirat e rrëmbyeshëm të muajit të kaluar në rajonin e Kumanovës kanë lënë pasoja të shumta, ndër të cilat edhe shembjen e urës që lidhë dy pjesët e qytetit në afërsi të stadiumit të “Bashkimit”...

Qytetarëve të mbi njëqind familjeve matanë lumit u është vështirësuar lëvizja e lirë, kurse më së vështiri e kanë fëmijët gjatë shkuarjes në shkollë.  
 
Ndërkohë, që pas alarmimit nga banorët, edhe organet komunale kanë ndërmarrë aktivitetet e para për tejkalimin e këtij problemi.
 
Koordinatori i grupit të këshilltarëve të BDI-së në Këshillin e Kumanovës, Ridvan Hasani, pohon se tani do të sanohet ura e njëjtë, ndërkohë që është duke u përgatitur projekti për dy ura të reja në këtë lagje. 
 
Përpos këtyre aktiviteteve, ai gjithashtu njoftoi se në bashkëpunimin me Ministrinë e Ekologjisë planifikohet edhe pastrimi i shtratit të lumit, me çka do të evitohen përmbytje të reja gjatë shirave të rrëmbyeshëm.  
 
NEXHAT AQIFI