Smillkovc, filluan punimet për ndërtimin e unazës
Filluan punimet për ndërtimin e barrierës hekurudhore lidhëse të mbikalimit ekzistues të qarkores veriore rreth Shkupit në afërsi të vendit Smillkovcë, projekt i cili kap shifrat e 40 milion denarëve dhe pritet që të ndërtohet deri në mars të vitit tjetër...

Ndërtimi i kësaj unaze ka qenë një dëshirë e kamotshme e banorëve që jetojnë përreth dhe më në fund po bëhet realitet, theksuan autoritete.
"Sot përfundimisht po realizohet dëshira e tetëmijë banorëve nga pesë vendbanime. Dëshira e tyre e paradokohshme është që kjo unazë t'i ketë të gjitha hyrjet e daljet drejt autostradës. Iniciativën për ndërtimin e saj qytetarët e ngritën që kur isha kryetar i Komunës së Gazi Babës”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, theksoi se me ndërtimin e kësaj unaze do të mundësohet transport më i shpejtë dhe më i sigurt. Sipas tij, me ndërtimin e unazës do të fillojë ngadalë të rigjallërohet edhe kjo pjesë e Qytetit të Shkupit dhe Gazi Babës.
Kryetari i Gazi Babës, Toni Trajkovski, tha se veç më është urbanizuar një sipërfaqe prej 70 hektarë në afërsi të unazës, në të cilën është paraparë ndërtimi i objekteve për sport dhe rekreacion, i komplekseve afariste dhe ndërtimi i një i auto-kampi. (Ersan Pajaziti, TVM2)
