Akademi përkujtimore, publikohet pulla postare me imazhin e Luranit

01.08.2023 13:48

Posta e Maqedonisë së Veriut....

Posta e Maqedonisë së Veriut organizoi mbledhje komemorative në të cilën u bë promovimi i pullës postare kushtuar aktorit të dëshmuar në skenën shqiptare dhe të huaj, Luran Ahmeti. Me këtë pullë postare synohet të përjetësohet vepra e Ahmetit.

“Pulla postare “Luran Ahmeti 1974 -2021” është shtypur në një tirazh prej 6 mijë kopjeve me një vlerë nominale prej 36 denarëve. Sigurisht se kjo vepër e vogël arti do të gjejë vendin e saj gjithandej kur do të udhëtojë letra, në mënyrë që kujtimin për Luranin tonë  ta mbajmë përjetësisht të gjallë.”, - deklaroi drejtoresha e Posteve të RMV-së, Bujare Abazi.

“Kur pritnim të ngrihet edhe më shumë madhështia e ditëlindjeve të Luranit, fatkeqësia na doli përpara, na preu udhën dhe e morri pabesisht nga ne duke i ndërprerë edhe ëndrrat edhe planet e tij ambicioze për realizimin e shumë projekteve të tjera teatrore dhe filmike.”, - theksoi prindi i Luran Ahmetit, Xhabir Ahmeti.

“Unë gjithë këtë kohë kam qenë mes asaj të flas apo të mos flas, patjetër për të respektuar të gjithë juve që keni ardhur këtu, por mbi të gjitha për të respektuar atë që nuk është këtu me ne dhe është arsyeja pse jam shumë e emocionuar, se më shumë kam hall se si do të shihte ai tani, a po qesh apo thotë pse ke dalë këtu çka do të thuash?”, - u shpreh bashkëshortja e Luran Ahmetit, Edlira Ahmeti.

Luran Ahmeti lindi në Shkup, më 31 korrik 1974 dhe vdiq më 25 mars 2021 pas një beteje me Covid-19. Ka qenë aktor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, por ka marrë pjesë edhe në produksione filmike.

Ishte pjesë e dhjetëra filmave, përfshirë edhe filmin më të suksesshëm në kinematografinë turke “Lugina e ujqërve”. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)