Qeveria, me investime kapitale në hekurudha

03.03.2015 17:08

Po modernizohet parku i hekurudhave në Maqedoni. Qeveria e Maqedonisë siguroi 107 vagonë për transport të mallrave, ndërsa 43 vagonë të tjera priten të mbërrijnë deri në fund të këtij muaji…

Vagonët e rinj janë modern, me pajisje elektronike të mirë dhe i posedojnë të gjitha certifikatat evropiane për transport. Me këtë pritet të përmirësohet biznesi në vend dhe të rritet mundësia për  transport më cilësor të mallrave.

“Jemi të bindur se ky lloj i vagonëve në hekurudhat e Maqedonisë do të kontribuojë dhe do ta ndihmojë shumë ekonominë e vendit dhe vlerësoj se njëkohësisht do të rritet puna në hekurudhat e Maqedonisë. Projekti për modernizimin e parkut të hekurudhave financohet nga  Banka  Evropiane për Zhvillim dhe Ripërtëritje dhe me mbështetje të Qeverisë së Maqedonisë”- deklaroi drejtori i NP-së “Hekurudhat e Maqedonisë”, Nikolla Kostov.

Investime të mëdha në hekurudhat e Maqedonisë këtë vit do të ketë edhe në trenat për udhëtim. Treni i parë modern, sipas qeverisë, do të arrijë në vend në korrik, ndërsa deri në fund të këtij viti gradualisht do të zëvendësohen trenat e vjetër  në këtë ndërmarrje.

“Jemi duke i bërë përgatitjet e fundit për furnizimin e trenave të rinj për udhëtim në Ndërmarrjen “Hekurudhat e Maqedonisë”. Sipas informacioneve, treni i parë duhet të mbërrijë më së voni në korrik të këtij viti. Ne vazhdojmë edhe me investimet në shinat për në Bullgari dhe gjithashtu presim që deri në fund të këtij muaji, ose nga fillimi i prillit të fillojnë punimet ndërtimore në shinat Manastir –Kremenicë”- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.

Investimet kapitale në hekurudha kapin vlerën prej 50 milion eurosh. 13.2 milion euro kushton furnizimi i vagonëve të sotëm transportues, ndërsa paratë e tjera do të dedikohen për investime për trenat e rinj për udhëtim. Ky investim është i pari i këtij lloji në këtë ndërmarrje dhe pretendohet t’i jepet fund transportit të vjetruar dhe amortizuar hekurudhor prej vitesh. (Rexhep Qamili, TVM2)