Vërshimet në Kinë, 11 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur

01.08.2023 15:19

11 persona kanë vdekur dhe 27 të tjerë janë zhdukur....

11 persona kanë vdekur dhe 27 të tjerë janë zhdukur gjatë vërshimeve nga bjeshkët që rrethojnë kryeqytetin Pekin, raportojnë mediat shtetërore kineze.

Reshjet e shiut për disa ditë me radhë i kanë detyruar autoritetet t’i mbyllin stacionet e trenit, t’i largojnë banorët nga zonat e cenueshme dhe t’i vendosin nëpër shkolla, raportoi transmetuesi CCTV.

Një shi kaq i madh është i pazakonshëm për Pekinin, i cili zakonisht gëzon klimë të butë dhe thatë. Megjithatë, disa rajone në veri kanë raportuar se këtë verë janë prekur nga vërshimet më të këqija në 50 vitet e fundit.

Në fillim të korrikut, të paktën 15 persona humbën jetën nga vërshimet në rajonin jugperëndimor, Chongqing, dhe rreth 5.590 njerëz u detyruan të evakuohen nga provinca veriperëndimore, Liaoning.