Gostivar, arrestohen dy pjesëtarë të policisë
Në aksionin policor të realizuar mbrëmë në Gostivar janë arrestuar dy punonjës policie, njëri nga të cilët është ish-shefi i Policisë së Gostivarit, të cilët ngarkohen për lidhjen e tyre me grupin e njohur që ngarkohet për vepra penale “detyrim” dhe “fajde”…

Ministria e Punëve të Brendshme, në kuadër të vazhdimit të aksionit operativ “Çekani”, deri te Prokuroria Themelore Publike për Përndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur kallëzim penal kundër R.B. (39), i punësuar si nëpunës policor në Stacionin e Policisë në Gostivar dhe SH.D. (41) komandant i Policisë së Gostivarit, të dyshuar për vepra të kryera penale “shoqërim kriminel” dhe “bashkëkryerje”, respektivisht “ndihmës’”, ndërsa në lidhje me veprat penale “detyrim” dhe “fajde”.
Siç kumtoi sot zëdhënësi i MPB-së, Ivo Koteski, bëhet fjalë për vepra penale që janë kryer nga ana e 19 personave, për të cilët në fazën paraprake të aksionit “Çekani” është ngritur kallëzim penal.
“Ish-shefi i Stacionit Policor të Gostivarit ngarkohet se në më shumë se 4 raste, personave me padi penale për aksionin “Çekani” u ka mundësuar që pa pengesa të kryejnë vepra joligjore të cilat ndiqen me detyrë zyrtare dhe në këtë mënyrë u ka mundësuar që të fitojnë pasuri në mënyrë të paligjshme”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Koteski.
Sipas MPB-së, masat dhe aktivitetet janë ndërmarrë në bashkërendim me Sektorin për Kontroll të Brendshëm dhe Standard Profesional, me ç’rast nga ana e tyre është kryer kontrolli i punës në Stacionin Policor të Gostivarit, ndërsa pas privimit nga liria, të njëjtit janë nxjerrë para gjykatësit në procedurë paraprake, i cili u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve. (Lulzim Haziri, TVM2)
