Botë

Kosovë, nis procedura për zgjedhje të parakohshme në Veri

01.08.2023 17:31

Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të Kosovës...

Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Pas dakordimit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me ndërmjetësin e BE-së, Mirosllav Lajçak, për çtensionim të situatës në veri të Kosovës, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal ka filluar me përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore.
 
Kjo ministri tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. 
 
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt-udhëzimin administrativ deri me një shtator 2023. Në vendim thuhet që grupi punues do të mbështetët nga zyra e BE-së, përfaqësues nga ambasadat e akredituara në Kosovë dhe OSBE-ja.
 
Në kuadër të marrëveshjes Bislimi-Lajçak janë tërhequr edhe 25% e policisë nga objektet komunale në veri, ndërsa Qeveria e Kosovës insiston në garancia ndërkombëtare për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e parakohshme, ndërsa pret edhe heqjen e masave ndaj Kosovës që u vendosën nga BE-ja pas tensionimit të situatës në komunat veriore, ku pasi serbët i bojkotuan zgjedhjet kryetarët e komunave u zgjodhën shqiptar. Por, ata u penguan me protesta të dhunshme të futen në objektet komunale.
 
GYLTENE SINANI