Botë

Granatime ruse mbi Ukrainë, në mesin e viktimave ka edhe fëmijë

01.08.2023 17:53

Të paktën nëntë civilë ukrainas, përfshirë një fëmijë, janë vrarë nga granatimet dhe sulmet ajrore...

Të paktën nëntë civilë ukrainas, përfshirë një fëmijë, janë vrarë nga granatimet dhe sulmet ajrore ruse në disa qytete të Ukrainës, njoftojnë autoritetet e Kievit.
 
Numri i viktimave në Krijvij Rih u rrit në katër pas sulmit në disa ndërtesa banimi. Viktimat tjera nga bombardimet ruse janë shënuar në Kharkov.
 
"Ishin rreth 6-7 dronë kamikaze që u shkatërruan pjesërisht nga mbrojtja ajrore, goditën pjesërisht objektet civile, të cilat përsëri nuk kishin personel ushtarak dhe përsëri nuk patën asnjë ndikim në objektet ushtarake. Ata po godasin rastësisht nëpër qytet në objekte që mund të goditen: civile, jocivile, infrastrukturë, jo-infrastrukturë, objekte energjetike. Ka edhe viktima.", - deklaroi shefi i policisë së rajonit Kharkiv, Volodymyr Tymoshko. 
 
Pas ofensivës ruse disaditore në Kramatorsk, autoritetet ukrainase kanë vendosur streha për mbrojtje nga bombardimet në çdo lagje të qytetit.
 
"Ne e përdorim strehën në rast se ka alarm për granatime.. Të paktën shpresojmë se do të na shpëtojë.", - u shpreh një banor i Kramatorsk.
 
"Kam qenë gjithmonë në shtëpi gjatë granatimeve. Por, mendoj se nëse ndodh, do t'i përdor patjetër strehën, madje duken të sigurt dhe të përshtatshëm. Janë kudo,  është mirë.", - u shpreh një banor tjetër i Kramatorsk.
 
"Në stacionin e autobusit tani kishte një granatim. Ku do të shkonim? Ndonjëherë nuk ke kohë as të fshihesh diku.”, - tha një banore e Kramatorsk.
 
"Kjo nuk është një strehë për mua, personalisht do të kisha frikë të hyja edhe kur ka granatime. Më mirë të shkoj të shtrihem atje dhe të ulem se sa të bien këto pllaka mbi kokën time.", - tha një banore tjetër e Kramatorsk.
 
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, forcat e Kievit kanë zhvilluar mbi 20 beteja në 24 orët e fundit. Sipas tyre, Rusia ka vazhduar sulmet ajrore dhe granatimet, duke shënjestruar popullatën civile dhe infrastrukturën. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU