Përgjimet, LSDM ngre padi kundër Gruevskit dhe Mijallkovit

03.03.2015 17:44

Provat nga përgjimi, LSDM po i shndërron në padi kundër zyrtarëve që kanë keqpërdorur pushtetin dhe kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme…

Partia e Zaevit ka dorëzuar në Prokurorinë Publike 3 padi penale kundër kryeministrit, Nikolla Gruevski, drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkovit, ministrave, Gordana Jankullovskës dhe Mile Janakievskit, si dhe kundër shefit të kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjerit dhe kreut të Gazi Babës, Toni Trajkovskit.

“Paditë penale të parashtruara sot kanë të bëjnë me vepra të ndryshme penale që burojnë nga bisedat e publikuara. Ngjarjet e përfshira në padi penale janë: shkelja e rregullave dhe normave gjatë arrestimit të Ljube Boshkovskit, rrënimin e jashtëligjshëm të objektit “Kosmos” dhe marrëveshja që të largohen nga puna kundërshtarët politikë pas zgjedhjeve të vitit 2011”- deklaroi anëtari i Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, Ljupço Nikollovski.

Nga partia e Zaevit thonë se paralelisht me procesin e publikimit të bisedave të ashtuquajtura “bomba”, do të dorëzojnë në prokurori padi penale të shoqëruara me dëshmitë materiale. Por, nga VMRO-DPMNE kanë vlerësuar se LSDM-ja parashtroi padi tërësisht të pabaza, pa kurrfarë argumentimi juridik.

"Procedura e sotme e LSDM-së është e dobët dhe ka qasje sipërfaqësore për defokusim të opinionit nga procedura ligjore kundër Zoran Zaevit. Ky hap i LSDM-së nuk ka kurrfarë logjike juridike dhe argumentim. Nëse LSDM-ja dhe Zoran Zaevi mendojnë se në mënyrë të tillë do të tërhiqen, se do ta amnistojnë veten dhe bashkëpunëtorët e tyre nga veprimet ilegale dhe joligjore, me të cilat vetë ranë në baltë e mundohen ta shtyjnë edhe shtetin, duhet të dinë se gënjehen"- thuhet në reagim. Pas pohimit të Zoran Zaevit për afërsinë dhe bashkëpunimin të cilin e ka pasur me Zoran Verushevskin dhe familjarët e tij, pas pohimit të tij se kanë ekzistuar porosi të shifruara dhe pas pëlqimit të pjesëmarrësve tjerë në të gjithë aferën, nënvizohet në reagim, konkretisht LSDM-¬së, si dhe të gjithë opinionit u bëhet e qartë për skenarin i cili është përgatitur nga ana e Zaevit, bashkëpunëtorëve të tij dhe qendrave të huaja”, theksojnë nga VMRO-DPMNE. (Shpëtim Nuredini, TVM2)