2 Gushti - Dita e kryengritjes së Ilindenit
Krerët e partive politike urojnë 2 Gushtin...

Krerët e partive politike urojnë 2 Gushtin - Ditën e Kryengritjes së Ilindenit. Ilindeni paraqet udhërrëfyes se si duhet të jetojmë dhe si duhet ta mbrojmë vendin tonë, Maqedoninë, në të ardhmen, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Mickoski: Ilindeni, udhërrëfyes për të ardhmen
Ai tha se porosia e tij është për një Maqedoni të bashkuar, e jo për siç tha Maqedoni të shitur nga pushtetarët.
“Edhe sot populli maqedonas, qytetarët në Maqedoni tregohen sfidues dhe e dinë se për çfarë luftojnë dhe luftojnë për identitetin e tyre, për vendin e tyre dhe për një të ardhme dinjitoze. Ky është mesazhi që sot në emrin tim, në emër të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE nga ky vend, Meçkin Kamen, po ua dërgojmë të gjithë qytetarëve në Maqedoni.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Ahmeti: Vite më parë, popujt e vendit u bënë bashkë
Kryengritjen e Ilindenit e ka uruar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit 120 vite më parë, popujt e vendit tonë u bënë bashkë rreth një kauze jetike, asaj të lirisë dhe barazisë kundër pushtuesit.
“Ajo kryengritje e përbashkët e vitit 1903 është udhërrëfyesi më i mirë i bashkëveprimit tonë për të mirën e përgjithshme dhe zhvillimin, si dhe kundër të keqes izoluese dhe përçarëse. Sot është edhe çasti i duhur të reflektojmë mbi atë që kemi arritur bashkë gjatë një rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm, të kujtojmë paqen që solli Marrëveshja e Ohrit, integrimin në NATO dhe të mendojmë se si bashkë të konkretizojmë misionin e integrimit në Bashkimin Evropian.”, ka thënë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në profilin e tij zyrtar në Facebook. (Ersan Pajaziti, TVM2)
