2 Gushti - Dita e Ilindenit, kreu shtetëror fton në unitet drejt BE-së

02.08.2023 14:50

Kreu shtetëror me porosi për unifikim dhe përgjegjësi....

Kreu shtetëror me porosi për unifikim dhe përgjegjësi për të ndryshuar Kushtetutën dhe integrimin evropian të vendit shënoi 2 Gushtin - Ditën e kryengritjes së Ilindenit dhe formimin e Republikës së Krushevës, si dhe kuvendin e parë të KAÇKM-së. Presidenti Stevo Pendarovski nga qendra memoriale në Pelincë, në fokus kishte të rinjtë dhe parandalimin e shpërnguljes së tyre. Sipas presidentit, kjo arrihet me vizion për të ardhmen, të bashkuar në nisjen e bisedimeve me BE-në.

“Sot, për shkak të reformave të vonuara evropiane, ekziston rrezik që të rinjtë tanë të shpërngulen. Andaj sot, në këtë ditë të Ilindenit, duke kujtuar tre republikat maqedonase, të Krushevës, KAÇKM-së dhe Maqedoninë e pavarur, duhet të jemi të vetëdijshëm se varet vetëm nga ne nëse republika e katërt e Maqedonisë do të jetë evropiane ose migruese.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nga kalaja e Shkupit porositi se të zgjedhurit e popullit do të duhet të veprojnë sipas amanetit të kryengritësve të Ilindenit dhe KAÇKM-së për të siguruar ardhmërinë evropiane të shtetit.

“Gjithkush i cili thirret në patriotizëm, gjatë vendimeve vijuese të cilat duhet të sigurojnë kontinuitet të progresit të vendosur me Ilindenin dhe KAÇKM-në, le të shikojnë thellë në vete dhe para vetes. Ilindeni dhe KAÇKM-ja pasqyrojnë vendosmëri dhe jo tërheqje, pasi vetëm heqja dorë është disfatë. Vendosmëria është fitore. Vendi ynë nuk është mbrapa në izolim, por para në familjen evropiane, ku në mënyrë kulturore po garojmë, ashtu sikurse Goce Dellçev, që e ka parë botën para një shekulli.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Manifestimi qendror u mbajt në Meçkin Kamen në Krushevë, me pjesëmarjen e një numri të madh të qytetarëve dhe delegacioneve. Fjalim mbajti kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili tha se faktori politik në Maqedoni është para një momenti vendimtar duke vulosur të ardhmen e vendit.

“Ky vendim duhet të merret me tejkalimin e tekave, kuptimin e realitetit dhe daljen nga interesat e ngushta, vetjake partiake që premtojnë ndonjë të ardhme tjetër, e cila edhe për optimistët më të mëdhenj është joreale. Këto, nuk janë kohëra për truke naive që do të rezultojnë me pasoja të skajshme ireverzibile prej të cilave askush nuk mund të shpëtojë. Është koha për përgjegjësi, vetëdije dhe ndërgjegje të lartë dhe të merret vendim më i mirë për ardhmërinë e shtetit dhe qytetarëve.”, - theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Ilindeni daton nga viti 1903, kur më 2 gusht, maqedonasit dhe popuj të tjerë u ngritën në kryengritje kundër pushtuesit osman dhe formuan Republikën e Krushevës. Andaj Ilindeni njihet si Dita e Republikës. 41 vite pas kryengritjes së Ilindenit, në manastirin “Prohor Pçinski” u mbajt mbledhja e parë e KAÇKM-së kundër çlirimit fashist, ku u konfirmua barazia e Maqedonisë në kuadër të Jugosllavisë. (Meral Ismaili, TVM2)