Gruevski-Stavrevski-Janakievski, bashkë edhe pas “bombës” së 6-të të LSDM-së
Kryeministri, Nikolla Gruevski, ka ngelur pa përgjigje konkrete sa u përket bisedave telefonike midis ministrit të Financave, Zoran Stavreskit, dhe ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovskës, të publikuara dje nga LSDM-ja…

Gruevski tha se nuk ka çfarë të shtojë më shumë nga ajo që ka deklaruar ditë më parë Stavreski në konferencën për shtyp, se autenticiteti i bisedave do të dëshmohet në gjykatë. Edhe përkundër ofendimeve të dëgjuara në bisedat telefonike në adresë të tij, Gruevski thotë se nuk e ka problem të komunikojë me Stavrevskin.
“Ne jemi shumë vite bashkëpunëtorë dhe njihemi shumë mirë, shumë punë kemi zgjidhur bashkë nëpërmjet dialogut dhe debateve, nëpërmjet të menduarit njësoj, ndonjëherë të menduarit ndryshe, kompromiseve për të arritur deri tek zgjidhjet më të mira, kështu që nuk kemi problem të atillë që mos të shikojmë njëri-tjetrin dhe mos të bashkëpunojmë”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Ata u panë bashkë, përfshirë këtu edhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievskin, në promovimin e vagonëve të rinj. Janakievski, i përmendur në konotacion negativ në bisedën telefonike nga Stavreski, tha se me të ka raporte të shkëlqyera. “Bombat” e publikuara për të janë rast i montuar klasik.
“Stavreski, përpos që është koleg i imi, unë atë e ndjej si një mik të afërt i cili është pjesë e familjes time. Raportet tona vazhdojnë të mbeten të shkëlqyera. Ai është njëri nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë me të cilin jemi konsultuar për të gjitha projektet se si t’i gjejmë fondet dhe t’i realizojmë ato”- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
Në bisedat telefonike midis Stavreskit dhe Jankullovskës u përmend edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, si i përfshirë në marrëveshje të dyshimtë. Trajanovski u shpreh i hapur për revizion.
“Qyteti i Shkupit është i hapur edhe për revizion dhe për gjithçka. Ka institucione në shtet të cilat mund ta vërtetojnë këtë. Si kryetar i BNJVL-së, unë punoj për të gjitha komunat. Institucionet duhet të funksionojnë, ndërsa ne kemi bashkëpunim të shkëlqyer me ministren e Punëve të Brendshme dhe ai bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Ministri i Financave, Zoran Stavreski, në një konferencë për media mbrëmë vonë tha se është e natyrshme që brenda qeverisë të ketë mendime ndryshe, të cilat më vonë të diskutohen për të arritur vendim përfundimtar në përputhje me programin e partisë.
Ai tha se incizimet janë të selektuara, por jo se ato nuk janë autentike. Për një prononcim të tillë nuk ka bërë presion Gruevski e as Mijallkov. Këtë e pohon vetë kryeministri i cili me plot bindje shprehet se po e flet të vërtetët mbi aferën e përgjimeve. (Meral Ismaili, TVM2)
