Botërori i femrave, Suedia dhe Asllani kualifikohen në fazën eliminatore

02.08.2023 16:20

Kampionati i 9-të Botëror i Futbollit të Femrave...

Kampionati i 9-të Botëror i Futbollit të Femrave vijon fazën e grupeve, që ka hyrë në pjesën më vendimtare, teksa po mbyllen edhe takimet e 3-ta. Dhe, pasi u mbyllën të martën takimet e 3-ta edhe në grupet “D” dhe “E”, sot ka qenë radhë e ndeshjeve të treta të Grupit “G”.

Futbollistet e Suedisë të mërkurën kanë konfirmuar kualifikimin në fazën nokaut të Botërorit që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Suedia ka shënuar fitore në ndeshjen e fundit të Grupit G.

Ka mposhtur Argjentinën me rezultatin 2:0, në duelin e luajtur në Hamilton të Zelandës së Re.

Për Suedinë, kjo ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje të luajtura në fazën e grupeve për të përfunduar në krye të tabelës me nëntë pikë të mbledhura. Në këtë duel, te Suedia nuk u aktivizua fare Kosovare Asllani që ishte në stol.

Krahas Suedisë në fazën e garave me eliminime nga Grupi “G” ka avancuar edhe Afrika e Jugut. Futbollistet e Afrikës së Jugut në ndeshjen vendimtare, triumfuan ndaj Italisë me rezultatin 3:2.

Me këtë fitore, Afrika e Jugut siguroi vendin e dytë në grup me 4 pikë, një më shumë se Italia që përfundoi e treta dhe u eliminua nga Botërori.

Suedia në 1/8 e finales do të përballet me kampionet aktuale amerikanet, ndërsa Afrika e Jugut do të përballet me Holandën.