Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Stoillkovski: S’ka takime me pushtetin, duhen zgjedhje
03.08.2023 15:02
Hendeku politik midis pushtetit dhe VMRO – DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese...

Hendeku politik midis pushtetit dhe VMRO – DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese vazhdon të thellohet. VMRO – DPMNE jo vetëm se kundërshton të njëjtat, madje mohon se ekzistojnë bisedime jozyrtare me pushtetin ashtu siç është shprehur presidenti Pendarovski. Nga partia e Mickoskit insistojnë në zgjedhje të parakohshme.
“Do të ishte mirë që Stevo Pendarovski të shohë se çfarë po ndodh në diplomaci, në vend që të jetë burim i lajmeve të reme. Takime të tilla zyrtare apo jozyrtare nuk ka. Thjeshtë, situata është e padurueshme sikurse në aspektin ekonomik, arsimor dhe për çdo ditë me krimin dhe korrupsionin jemi akoma më larg nga BE. Pushteti BDI-LSDM me ndryshimet kushtetute po hutojnë qytetarët më shumë se një vit, është e qartë se nuk kanë mbështetje dhe kjo situatë s’do ndryshojë. Përkundrazi, kjo është taktikë e BDI-së dhe LSDM-së për përfitim në kohë, që zgjedhjet e parakohshme të bëhen të pavlefshme”, u shpreh zëdhënësi i VMRO – DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
LSDM: VMRO t’i përkrahë, kërkesat u përmbushën
Megjithë kundërshtimet, socialdemokratët s’ndalojnë së ftuari deputetët e VMRO – DPMNE-së për përkrahje pasi konsiderojnë se gjitha kërkesat e Hristijan Mickoski janë përmbushur. Nga LSDM në mesin e premtimeve të përmbushura numërojnë dorëheqjet e ministrave nga rradhët e BDI-së.
“Gjithçka që Mickoski dhe VMRO duhet të bëjnë, është që të kyçen në proces dhe të japin mbështetje për ndryshimet kushtetuese, në të kundërtën do të dëshmojnë se janë joserioz, të papërgjegjshëm para popullit dhe ardhmërisë së shtetit. Çdo veprim tjetër është në kundërshtim me interesat kryesore shtetërore dhe kombëtare”, theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.
LSDM konsideron se me ndryshimet në kushtetutë përshpejtohet procesi I integrimit në BE dhe i jepet fundi tezave “një popull në dy shtete”. Ditë më parë thirrjet për unifikim të faktorit politik I drejtoi mbarë kreu shtetëror duke pasur në fokus të ardhmen e shtetit. Pasi ndryshimet kushtetuese kaluan filtrin e parë në komisionin parlamentar, tanimë në senacën plenare të 18 gushtit duhet të miratohet nevoja me 80 vota të nevojshme, për arritjen e të cilëve s’heq dorë pushteti.
MERAL ISMAILI
