Futboll

Rabotniçki-FC Shkupi luhet të hënën

03.08.2023 16:57

Këtë fundjavë (të dielën)nis sezoni i ri 2023/24 në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut...

Këtë fundjavë (të dielën)nis sezoni i ri 2023/24 në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut. Paraqitja e skuadrave vendore në eliminatoret e Ligës së Konferencës, në këtë rast FC Shkupit, ka ndryshuar orarin e zhvillimit të ndeshjeve të xhiros së parë.
 
“Pëllumbat” nga Çairi, sonte në Sofje do të luajnë ndeshjen e kthimit me Levskin dhe për këtë shkak kanë kërkuar që takimin e javës së parë me Rabotniçkin ta luajnë një ditë më vonë. Komisioni për gara pranë FFM-së, pozitivisht iu ka përgjigjur kërkesës së Shkupit dhe ndeshja do të luhet të hënën në stadiumin “BorisTrajkovski” në l.Maxhari.
 
Pesë ndeshjet e tjera të javës së parë të sezonit të ri do të luhen të dielën. Kampioni aktual Struga TL, mbrojtjen e titullit e nis në terren vendas me Gostivarin. Skuadra debutuese në elitë Voska (Ohër), përballë do të ketë Shkëndijën e Tetovës, ndërsa në tri ndeshjet e tjera takohen: Ak.Pandev (Brera) – Vardari në Strumicë, Bregallnica – Sileksi në Shtip si dhe Tikveshi – MakedonijaGj.P në Kavadar. Të gjitha ndeshjet do të nisin në ora 17:00.