Botë
Vazhdojnë granatimet ruse mbi Ukrainë, Zelensy: Luftime në lindje, betejat janë të ashpra
04.08.2023 17:50
Shpërthime të forta dhe të shtëna armësh janë raportuar në orët e para të mëngjesit...

Shpërthime të forta dhe të shtëna armësh janë raportuar në orët e para të mëngjesit pranë portit rus në Detin e Zi. Autoritetet në Novorossiysk, vendin ku edhe u raportuan shpërthimet, konfirmuan se pas kësaj ngjarjeje kanë shtuar forcat e sigurisë.
Ndërkohë, Novorossiysk është një nga portet më të rëndësishme të Rusisë në Detin e Zi. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Bliken, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akuzoi Moskën që e përdorë Detin e zi për “shantazh”, pasi Rusia së fundi u tërhoq nga një nismë kyçe e eksportit të drithërave.
“Çdo anëtar i këtij këshilli, çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet t’i thotë mjaft Moskës, mjaft përdorët Detin e Zi si shantazh.Mjaft i trajtuat njerëzit më të cenueshëm në botë si levë. Uria nuk mund të shndërrohet në armë.Mjaft me këtë luftë të pajustifikuar”, u shpreh sekretari amerikan i shtetit Antony Bliken.
Rusia kreu aksione sulmuese edhe përgjatë gjithë vijës së frontit lindor, njoftoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Sipas tij, betejat janë shumë të vështira.
“Betejat janë të vështira, pushtuesit po bëjnë të pamundurën për të ndaluar djemtë tanë. Sulmet janë shumë të ashpra ne pjesën lindore të vendit, në Kupyansk, Lyman, Bakhmut, Maryinka, Avdiivka. Është e vështirë kudo. Por pavarësisht se çfarë bën armiku, është forca ukrainase ajo që dominon”, theksoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Për disa muaj rradhazi, beteja të ashpra janë duke u zhvilluar për marrjen nën kontroll të Kherson-it.
“Kishte njerëz në autobus. Tre persona u goditën nga ky granatim. Njëri është në gjendje të rëndë. Një person tjetër ishte në stacionin e autobusit. Edhe ajo ka mbetur e plagosur. Të gjithëve po ju ofrohet ndihma, një person është i moshuar në gjendje të rëndë shëndetësore”, u shpreh kreu i administrates ushtarake në Kherson, Oleksandr Tolokonnikov.
"Fëmija ishte në banjë. Unë isha shtrirë në divan. Fillimisht, nuk kuptova asgjë, dhe më pas u trondita dhe bërtisja”, theksoi banorja e ndërtesës.
“Unë nuk kam më apartament pasi është shkatërruar. Dëme kanë edhe njerëzit në katin e tretë", u shpreh banori i Khersonit.
Lufta në Ukrainë vijon të mbetet shqetësuese, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve që dy liderët, presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti ukrainas të bisedojnë mes tyre dhe të arrijnë marrëveshjen e paqes. Së fundmi Ukraina ka zhvilluar sulme me dron në Moskë si kundërpërgjigje të sulmeve të njëpasnjëshme ruse.
FARIJE DAUTI BAKIU
