Tragjedi në Prishtinë, 1 i vdekur dhe 17 të lënduar, i dyshuari në arrati
Një i vdekur dhe 17 persona janë plagosur...

Një i vdekur dhe 17 persona janë plagosur nga përleshja midis dy grupeve kriminele mesnatën e së premtes, e cila rrezikoi masakër në një lokal në qendër të Prishtinës.
I ndjeri është Kastriot Ramadani, 39 vjeç nga Komuna e Drenasit, pjesëtarë i Forcave të Sigurisë së Kosovës, i cili ndërroi jetë në spital ndërkaq të dyshuar për vrasjen është i arratisuri Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka” i ndjekur nga FBI.
Në mesin e të dyshuarve, katër mbahen nën vëzhgimin e policisë në Shërbimin Klinik të Kosovës, pas lëndimeve të marra, në mesin e tyre edhe Andi Pajaziti, i njohur për policinë për rreth 150 vepra penale, i cili ishte liruar nga burgu para pak kohësh.
“Pacientët në qendrën emergjente janë pranuar me parametra vitale stabile dmth kanë qenë jashtë rrezikut për jetë, njëri ka pasur plagë me mjet të mprehtë në regjionin e fytyrës dhe parametrat kanë qenë stabile. Ne i kemi trajtuar dhe momentalisht ndodhet në sallën e operacionit të kirurgjisë maksillofaciale dhe sipas gjitha gjasave do të observohet në kirurgjinë maksillofaciale. Është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa plagët janë serioze.” – u shpreh mjeku, Abdush Bajgora.
Sipas dëshmitarëve të dyja grupet kanë shtënë me armë zjarri ndaj njëra-tjetrës me pasoja vdekjerurëse.
7 persona u plagosën nga armët ndërkaq 10 të tjerë nga prerje të xhamit nga kaosi.
Ngjarja ka nisur kur të dyja grupet janë fjalosur dhe kanë nisur një rrahje, pas të cilës kanë nxjerë armët dhe shkrepur disa herë.
Detaje të rastit ka dhënë edhe Policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë menjëherë. Edhe Policia ka konfirmuar se pesë persona dyshohet të kenë gisht në ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë në mes të kryeqytetit të Kosovës.
“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve, janë përdorur armë zjarri, si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj, ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen nga policia. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar gjendet në arrati” thuhet në njoftimin e policisë.
Qendra spitalore në Prishtinë gjatë ditës njoftoi se gjëndja shëndetësore e 5 të lënduarve të pranuar për trajtim të mëtejmë është jashtë rrezikut për jetë . 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.
I ndjeri Kastriot Ramadani konsiderohet të ketë qenë mik me të arratisurin Dukagjin Nikollaj, pasi më herët kishte postuar edhe fotografi me të. (Meral Ismaili, TVM2)
