Moti, meteorologët: Pritet stuhi dhe vërshime në RMV

05.08.2023 16:43

Pas stuhive të fuqishme që kapluan Slloveninë dhe Kroacinë....

Pas stuhive të fuqishme që kapluan Slloveninë dhe Kroacinë, priten rreshje të mëdha të shiut edhe në vendin tonë, njoftojnë nga Instituti për Hidrometeorologji.

Sipas meteorologëve fillimisht pritet që një ciklon të godasë pjesën perendimore të vendit, më pas të gjithë territorin.  Shkupi ,parashihet të kaplohet nga një stuhi e shkurtër por shumë e fuqishme.

“Pasdite dhe në mbrëmje vendi pritet te ndikohet nga aktiviteti i një cikloni i cili qendrën e ka në gadishullin Apenin dhe në Detin Adriatik. Kështu që vendi ynë fillimisht do të goditet nga kjo stuhi në pjesën Perendimore, nga një masë e reje jo e qëndrueshme, e ndjekur me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erëra të fuqishme. Gjatë mesnatës, moti jo i qëndrueshëm do të drejtohet në pjesën qëndrore dhe Lindore të vendit. Pra ky mot, do ta përfshi gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Në disa vende pritet të bije shi i rrëmbyeshëm me mbi 20 litër në një metër katëror, me erëra të fuqishme dhe vetëtima. Sidomos në Shkup dhe luginat përreth do të përfëshihen nga një stuhi e shkurtër por shumë e fuqishme” – deklaroi Juljana Fidanoski Mishkovska nga Instituti për hidrometeorologji.

Drejtoria e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve në Shkup njoftoi se kanë filluar pastrimin e kanalizimeve dhe puseve në pikat kritike në të gjitha nënkalimet e qytetit të Shkupit.

“Ekipet e Sektorit të Kanalizimit në NP Vodovod dhe Kanalizim - Shkup, konform të dhënave të IHM-së dhe paralajmërimeve për stuhi, po kryejnë edhe aktivitete shtesë për pastrimi i kanalizimeve me qëllim funksionimin e pandërprerë të rrjetit atmosferik të ujërave të zeza. Ekipet gjatë ditëve të kaluara në territorin e qytetit të Shkupit kanë punuar në pastrimin sipërfaqësor të 1458 drenazheve, pastrimin manual të 387 drenazheve, kontrollimin e 689 kanaleve, pastrimin manual të 308 kanaleve dhe larjen e 32 kanaleve me depo nën presion. 9 zona të qytetit.”- thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Ujësjellësit dhe Kanalizimeve.

Në ndërkohë  ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, Lupço Nikolloski, ka ftuar bujqit që të marrin masa parandaluese.  

“Apeloi  fermerët që të ndërmarrin sa më shpejt masa për mbrojtjen e të korrave, veçanërisht për serat.”- ka shkruar Nikollovski në profilin e tij në Facebook. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)