Botë

Në luftën në Gazë e kanë humbur jetën 538 fëmijë

04.03.2015 09:52

Raportuesi special për të drejtat e njeriut në territoret palestineze Makarim Vibosono i bëri thirrje dje Izraelit për ta hulumtuar vrasjen e më shumë se 1.500 civilëve palestinezë...

Raportuesi special për të drejtat e njeriut në territoret palestineze Makarim Vibosono i bëri thirrje dje Izraelit për ta hulumtuar vrasjen e më shumë se 1.500 civilëve palestinezë, prej të cilëve një e treta janë fëmijë gjatë luftës në Rripin e Gazës në verën e kaluar.
 
Ai kërkoi nga Izraeli që t'i publikojë rezultatet nga hetimi.
 
Vibosono, i cili është ish-ambasador i Indonezisë, e publikoi raportin e parë të Këshillit për të drejtat e njeriut të KB-së, pasi u bë raportues special për të drejtat e njeriut në territoret palestineze.
 
Sekretari amerikan i shtetit Xhon Keri e akuzoi të hënë këtë trup se është i fiksuar me akuzat kundër Izraelit dhe se vendi i tij do ta mbrojë Izraelin kundër përpjekjeve që të izolohet.
 
Gjatë luftës 50 ditëshe janë vrarë 2.256 palestinezë, prej të cilëve 1.563 civilë dhe 538 fëmijë. Në anën izraelite kanë vdekur 66 ushtarë dhe pesë civilë, deklaroi Vibosono.
 
Izraeli ngriti ofensivë për ta penguar raketimin nga Rripi i Gazës, me të cilin qeveris Hamasi islamik./mia