Shqipëri, rekorde të reja në turizëm

06.08.2023 16:20

Shqipëria është kthyer këtë vit në një ndër destinacionet....

Shqipëria është kthyer këtë vit në një ndër destinacionet më të preferuara për të pushuar, jo vetëm nga vendasit por edhe të huajt. Statistikat flasin për mbi 3.4 milionë turistë që kanë hyrë në Shqipëri që nga janari, ndërsa vetëm në qershor ky numër ishte 1 milion.

Vlora, Saranda, Ksamili, Himara e zona të tjera në jug vijojnë të mbeten më të preferuarat.

Megjithatë, risi e këtij viti është se rritje të numrit të turistëve ka pasur edhe në plazhin e Darëzezës në Fier, apo në Shëngjin të Lezhës e Velipojë të Shkodrës. Shumë prej tyre me kampera.

“Vij nga Veneto. Kam ardhur këtu për klimën. Kam zgjedhur këtë plazh sepse ka shumë hapësirë krahasuar me plazhet e tjera që unë i kam vizituar. Natyra më pëlqen më shumë që është e jashtëzakonshme dhe egër. Këtu është ende natyra e egër. Një gjë tjetër që kam gjetur të jashtëzakonshme është mikpritja. Jam prej një muaji. Më pëlqen shume Shqipëria dhe kjo është hera e trete qe vij këtu për mos tu kthyer ne Itali”.

“Në Darzezë na pëlqen natyra dhe ushqimi pasi është më ndryshe se në Itali. Hamë mish çdo ditë”.

“Ne kemi zgjedhur të vijmë këtu në Shqipëri dhe në Darzezë pasi na pëlqen natyra e bukur shqiptare dhe së dyti mikëpritja shqiptare”.

“Njerëzit janë të gjindshëm, të ndihmojnë. E zgjedhim plazhin sepse ka shumë hapësirë. Këtu ndihem më e lirë” – thanë disa nga turistët e huaj që po qëndrojnë në Shqipëri.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit prenotimet janë bërë herët dhe është e vështirë të gjesh vend akomodimi për të kaluar pushimet, pavarësisht çmimeve të rritura. Për këtë duket se ka ndikuar edhe jehona që i është bërë disa plazheve të Shqipërisë në mediat botërore, por edhe ardhja e personazheve me famë botërore, siç është rasti i këngëtares Dua Lipa apo vajzës së ish-presidentit amerikan Donald Tump e cila qëndroi në jug të Shqipërisë për disa ditë.

Përveç turizmit të detit, këtë vit interes në rritje ka edhe për historinë dhe artin në Shqipëri.

Parku Arkeologjik i Apolonisë po vizitohet gjithnjë e më shumë nga të huajt,  ndërsa parku i Pavarësisë në Vlorë nga shqiptarë të Serbisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë problem në vijën bregdetare nga Velipoja deri në Sarandë është mungesa e rojeve bregdetare në shumicën prej plazheve, duke bërë që të mos mungojnë edhe incidentet fatale. (Luljeta Ndoka, TVM2)