Politikanët perëndimorë: Vuçiq po përshkallëzon tensionet me Kosovën
Një grup politikanësh perëndimor...

Një grup politikanësh perëndimor, ekspertë të politikës së jashtme, përfshi edhe kryetarin e politikës së jashtme në Bundestagun e Gjermanisë, Michael Roth dhe senatori amerikan Bob Menedez kanë ftuar Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe që të reagojnë ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë.
Përmes një letre, politikanë kryesorë nga vende të ndryshme të Perëndimit kanë theksuar se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq po përshkallëzon gjithnjë e më shumë tensionet me Kosovën.
“Përpjekjet e Serbisë për t'i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovës duhet të dënohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon t’i minojë zgjedhjet e lira dhe korrekte”, thuhet në letrën e ekspertëve të politikës së jashtme drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly, raporton mediumi i njohur gjerman “Tagesspiegel”.
Në këtë letër i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mësojnë nga e kaluara dhe të mos ndiqet politika ku në qendër është Beogradi.
“Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës”, thuhet në letër.
