Botë
Ukrainë, shpërthim në minierën “Zasyatko”, 32 të vdekur
04.03.2015 10:05
Një shpërthim i fuqishëm në Minierën e qymyrgurit “Zasyadko” në Donjeckun, e kontrolluar nga rebelët pro-rusë, ka marrë të paktën 32 jetë njerëzish e ka plagosur 14 të tjerë...

40 minatorë ende janë brenda në miniere, por nuk dihet asgjë për gjendjen e tyre. Autoritetet konfirmojnë vdekjen e më shumë se 30 minatorëve.
Punonjësit e shpëtimit nuk kanë mundur të mbërrijnë në vendin ku ndodhi shpërthimi, sepse fillimisht po largojnë gazin helmues, e më pas do të zbresin nëntokë.
Përgjatë gjithë dimrit, Donjecku ka qenë teatër luftimesh të ashpra mes separatistëve dhe trupave qeveritare.
Megjithatë, në zonën ku ndodhet miniera, këto ditët e fundit nuk ka pasur asnjë përplasje të armatosur dhe për shpërthimin e sotëm duket se “fajtor” është rrjedhja e gazit. “Zasyadko” në lindje të Ukrainës është skenë e katastrofës më të madhe minerare të vendit 8 vjet më parë.
Që nga fillimi i konfliktit në muajin prill, ekonomia e Ukrainës është rrudhur ndjeshëm, megjithatë pavarësisht trazirave, në rajonet lindore të vendit shumë miniera funksionojnë normalisht.
Aksidentet sidoqoftë kanë qenë diçka e zakontë edhe përpara shpërthimit të dhunës, sepse standardet e sigurisë ishin përgjithësisht tepër të ulëta.
Edhe pse “Zasyadko” vetë është një prej minierave më të reja të rajonit e me pajisjet më të mira, nëntorin e vitit 2007 atje u shënua fatkeqësia më e madhe minerare në të gjithë historinë e vendit, me të paktën 101 të vdekur.
LEUNORA KALIQI
