Krasniqi fiton mes polemikash ndaj Mohammedit

06.08.2023 21:20

Robin (Haxhi) Krasniqi ka fituar meçin kryesor...

Robin (Haxhi) Krasniqi ka fituar meçin kryesor të mbrëmjes së boksit në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ishte një mbrëmje me  plot zhvillime që përfundoi me fitoren diskutabile të Krasniqit ndaj boksierit nga Franca, Nadjib Mohammedi.

Meçi i kategorisë gjysmë të rëndë përfundoi në mënyrë diskutabile. Mohammedi u diskualifikua në raundin e nëntë. Sipas arbitrit në ring, Ajet Rreci, Mohammedi u diskualifikua për goditje të palejuara.

Rreci i dha pesë herë vërejtje publike Mohammedit. Kështu Krasniqi shënoi fitore. Spikeri zyrtar ka thënë se Krasniqi ishte në epërsi me pikë në momentin kur u ndërpre meçi. Junikasi Krasniqi, që jeton në Gjermani, ka zhvilluar meçin e 60-të në boksin profesionist. Tani ka bilanc prej 53 fitore e shtatë humbje.

Mohammedi, që me prejardhje është nga Algjeria, pësoi humbjen e dhjetë. Ka edhe  45 fitore. Ngjarja në “Fadil Vokrri” është dominuar nga boksierët shqiptarë, me ç’rast gjithë shtatë para meçet u fituan nga ata.