Këshilltarja e Kurtit për Luginën e Preshevës ndalohet për një orë nga Policia kufitare serbe

07.08.2023 17:24

Këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti....

Këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti, për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Ardita Sinani, është ndaluar për më tepër se një orë nga policia kufitare serbe në vendkalimin kufitarë me Republikën e Kosovës, në Muçibabë.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Sinani në rretet sociale duke theksuar nuk i janë dhënë sqarim shtesë për arsyen e ndalimit.

“Arsyetimi i vetëm që mu dha nga policët kufitarë të Serbisë, ‘Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza’. Asnjë sqarim shtesë për arsyen, apo se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin. Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jetë mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ky rast, sigurisht do të jetë vetëm shtytje edhe më e madhe për të folur me zë edhe më të lartë për diskriminimin shtetërorë serb ndaj shqiptarëve. E ndalimi nga policia në kufi, është vetëm njëra ndër to, e që është edhe metodë e vjetër politike e shtypjes e etërve politik të udhëheqësve aktual të Serbisë”, thekson Ardita Sinani, e cila përveç këshilltare e kryeministrit Kurti, njihet edhe si ish kryetare e komunës së Preshevës.