Slloveni, rritet në 6 numri i të vdekurve nga vërshimet
Numri i përgjithshëm i të vdekurve....

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga shirat e mëdha dhe vërshimet në Slloveni është rritur në gjashtë, bëjnë të ditur mesdiat sllovene.
Shirat dhe rrëshqitjet e dheut, që nisën të enjten, kanë përmbytur pjesë të mëdha të Sllovenisë qendrore dhe veriore, duke e bllokuar qasjen në fshatra dhe duke e penguar trafikun.
Të dielën, ekipet emergjente e nxorën trupin e një burri 35-vjeçar nga një lumë afër fshatit Mirna Perc, në lindje të vendit.
Një burrë tjetër, i cili po merrte pjesë në operacionet e pastrimit, u gjet i vdekur pasi kishte rënë në një gropë uji pranë qytetit Kamnik, afër Lubjanës.
Trupat e dy sllovenëve dhe dy qytetarëve holandezë u gjetën më herët.
Të hënën, punëtorët e shpëtimit u përpoqën t’i hapnin rrugët në vendet e thella dhe izoluara, derisa edhe i vlerësuan dëmet, për të cilat Qeveria e vendit ka thënë se mund ta tejkalojnë shifrën e 500 milionë eurove. Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, i ka përshkruar shirat rrëshek dhe vërshimet e mëdha – të cilat e goditën vendin e Alpeve me dy milionë banorë – si fatkeqësinë më të madhe natyrore që nga shpallja e pavarësisë tri dekada më parë. Sllovenia, vend anëtar i Bashkimit Evropian, i ka kërkuar ndihmë bllokut, në veçanti makineri të rënda, si ekskavatorë dhe ura të përkohshme të parafabrikuara, për t’u përballur me pasojat e vërshimeve.
Ajo i ka kërkuar edhe NATO-s t’i ofrojë helikopterë dhe ushtarë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se vendi i tij do të dërgojë punëtorë emergjentë, si dhe u shpreh i “tronditur” me “katastrofën e tmerrshme të vërshimeve në Slloveni dhe Austri”.
