Renditja e IFJ, Distria Krasniqi merr kryesimin e renditjes
Me suksesin në Mastersin në Budapest...

Me suksesin në Mastersin në Budapest, xhudistët kosovarë kanë prekur nivel të ri. Distria Krasniqi tani është xhudistja më e mirë e renditur në botë. Këtë më herët e kishte arritur vetëm Majlinda Kelmendi.
Në ranglistën e publikuar të hënën nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, Distria është xhudistja më e ranguar prej të gjitha kategorive. Krasniqi ka 8280 pikë. E dyta në këtë renditje është japonezja e kategorisë deri 70 kilogramë, Saki Niizoe. Ajo i ka 8150 pikë.
Ngritje të madhe në renditjen e FNXH-së, ka shënuar Laura Fazliu. Laura triumfoi të shtunën në kategorinë deri 63 kilogramë dhe mori 1800 pikë në ranglistë. Tani ajo është e dyta në kategori me 5711 pikë. I është afruar pranë britanikes Lusi Renshall që udhëheq me 5881 pikë.
Nora Gjakova ka rënë për një pozitë në kategorinë deri 57 kilogramë dhe tani renditet e nënta. Por norma e saj olimpike nuk rrezikohet.
Ngritjen më të madhe e ka bërë Akil Gjakova, falë dy fitoreve në Masters. Ai renditet i 33-ti në kategorinë deri 73 kilogramë. Ka përparuar për plot tetë pozita.
Ranglista në xhudo ka vlerë shumë të madhe. Përmes saj përcaktohen bartësit nëpër gara e për më tepër përcaktohen edhe xhudistët që fitojnë normën olimpike dhe bartësit në Lojërat Olimpike.
