Olimpistët kosovarë marrin bursat
Sportistët olimpik të Kosovës dje kanë nënshkruar bursat olimpike, derisa ata tashmë kanë edhe përgjegjësitë shtesë gjatë përgatitjeve...

Nga sot, 15 sportistë olimpik të Kosovës do të mund t’ia nisin stërvitjeve për Rio 2016, mirëpo tash me frymë ndryshe. Dëshira dhe vullneti tashmë mund të jetë i madh, por edhe përgjegjësitë dhe presioni shtohen në të njejtën mënyrë.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) i ka nënshkruar kontratat me sportistët kosovarë që do të pranojnë 15 bursat olimpike të miratuara nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON). Bursat janë në vlerë të 500 dollarëve amerikanë, derisa 2/3 e këtyre parave i paguan KON-i ndërsa 1/3 Komuna prej nga vjen sportisti.
Përkundër se kontrata si bursist olimpik u nënshkrua dje, sportistët e poshtëshënuar do t’i marrin ato retroaktivisht nga janari 2015.
Olimpistët do të jenë të monitoruar çdo katër muaj lidhur me përparim në rezultatet e tyre, derisa në rast të mospërparimit, kontrata e tyre me KOK-un mund të ndërprehet, ka thënë kreu i KOK-ut, Besim Hasani dje gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontrateve me olimpistët.
Përveç tjerash, tash e tutje në Kosovë mund të zbarkojë doping kontrolli në lidhje me këta sportistë dhe kjo bëhet pa paralajmërim.
Për më tepër, olimpistëve u është sugjeruar që të ndjekin intensivisht kurset e gjuhës angleze ashtu që në rast të një paraqitjeje të mundshme olimpike, të prezentojnë sa më mirë vendin./mia
