Botë

Ushtria amerikane: 12 mijë ushtarë rusë mbështesin separatistët

04.03.2015 13:13

Ushtria amerikane vlerëson se afro 12 mijë ushtarë rusë po i mbështesin separatistët pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës...

Komandanti i Ushtrisë amerikane për Evropë, Ben Hodges, tha se forcat e Rusisë përbëhen nga këshilltarët ushtarakë, operatorët e armatimit dhe trupat luftarake. Po ashtu ai ka theksuar se 29 mijë ushtarë rusë gjenden në Krime, të cilën Rusia e ka aneksuar nga Ukraina vitin e kaluar. 
 
Duke folur mbrëmë në Berlin, Ben Hodges tha se ajo që Ukraina dëshiron është “inteligjenca, kapacitete kundër zjarrit dhe diçka që mund ta ndalë tankun rus”. Sipas tij, administrata amerikane ende nuk ka vendosur se a do të dërgojë armatim në Ukrainë dhe ka përsëritur se Uashingtoni dëshiron zgjidhje diplomatike. 
 
Ndërkohë, presidenti amerikan, Barack Obama, dhe liderët evropianë janë pajtuar se “reagimi i fuqishëm” do të jetë i domosdoshëm nëse armëpushimi ndërmjet Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë nuk respektohet.
 
Zyra e presidentit të Francës, Francois Hollande, ka njoftuar mbrëmë se gjatë një video konference liderët kanë theksuar mbështetjen e tyre për armëpushimin e arritur në Minsk.