Botë
Uashington, panda, Bao Bao, ndahet nga nëna
04.03.2015 13:15
Pandat e duan dimrin, por këtë mëngjes, në parkun e kopshtit zoologjik në Uashington, vetëm nëna pandë, Mei Xiang, ka dalë të shëtisë në borë...

Vogëlushja e saj Bao Bao ka mbushur sot 18 muaj dhe nuk do ta shoqërojë më nënën e saj. Ajo gjithë këtë javë është mbajtur larg nënës për t’u adaptuar me jetën e re. Bao Baos i ka ardhur koha të rritet.
Ajo tashmë ka një park të vetin ku mund të luaj. Ndoshta për ne njerëzit ndarja e nënës nga i vogli duket tepër mizore, por në kopshtin zoologjik të Uashingtonit shkencëtarët janë mësuar me të tilla ndarje, ata thonë se kjo është mënyra sesi funksionon natyra.
“Kjo është shumë natyrale. Nëna fare nuk duket e trishtuar. Ndoshta të vegjlit e kanë pak vështirë të adaptohen, por ne e dimë se trishtimi u kalon shumë shpejt”- tha shkencëtarja,Nicole Macorkle.
Në botën e egër, pandat e vogla ndahen përfundimisht nga nënat e tyre kur mbushin dy vjet. Por, punonjësit e kopshtit po ndihmojnë nënën panda dhe pandën e saj të vogël, Bao Baon, të ndahen 6 muaj më shpejt.
Tani është sezoni i shumimit dhe Mei Xiang duhet patjetër të çiftëzohet. Marrë parasysh se pandat janë specie e rrezikuar, shtimi i tyre është shumë i rëndësishëm për shkencëtarët.
“Ne shohim Mei Xiangun se si e shtyn të voglën e saj kur ajo i afrohet. Është pak e trishtueshme. Por, ne po vërejmë edhe se Bao Bao tani është shumë më e pavarur dhe e gjen vetë ushqimin”- tha punonjësja e kopshtit, Brandie Smith.
Që në ditët e para të jetës Bao Bao ka qenë yll dhe jeta e saj është dokumentuar në një seri filmike.
Bao Bao do të jetojë në këtë kopsht zoologjik derisa të mbushë 4 vjeç dhe më pas, sipas një marrëveshjeje me qeverinë kineze, ajo do të udhëtojë drejt Kinës, ku një ditë do të mund të ketë familjen e saj të pandave.
SEVDIJE KASTRATI
