Aspirata drejt BE-së, pushteti del me "Manifest", Kuzevska: Ka për qëllim unitetin e partive

08.08.2023 16:06

Derisa po numërohen ditët deri në seancën e 18 gushtit...

Derisa po numërohen  ditët deri në seancën e 18 gushtit kur duhet të nis debati për ndryshimet kushtetuese, partitë në pushtet kanë inicuar "Manifest" që sipas tyre, ka për qëllim unitetin e partive politike në kuvend lidhur me realizimin e strategjisë shtetërore për integrim evropian.

Nga LSDM-ja presin që ky koncept të kuptohet si unitet dhe aspirtatë e përbashkët për të ardhmen evropiane të vendit. Presin bashkëngjitje të të gjitha subjekteve politike në vend.

“Ky manifest është një bashkim, një thirrje për unitet sepse me të vërtetë tani është kohë për t'u bashkuar rreth konceptit evropian dhe  që i definon pozicionet, respektivisht kornizat për pozicion të institucioneve që duhet të kontribojnë për anëtarësim të plotë në BE. Prej këtu vlerësojmë se ky është momenti që duhet shfrytëzuar, sepse para nesh është shanca historike që na çon drejt anëtarësimit të plotë në BE. Presim që ky "Manifest" do të kuptohet pikërisht si faktorë bashkues dhe për këtë arsye, ta përkrahin të gjitha partitë politike” – tha zëdhënëse e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska.

BDI: Do të angazhohemi maksimalisht për integrim

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim e cilësojnë si hap të rëndësishëm  nënshkrimin e manifestit të përbashkët dhe që obligon  zhvillim efikas dhe cilësorë të negociatave me BE-në.

“Me propozim Manifestin, deklarojmë se do të angazhohemi për realizimin e të gjitha detyrimeve që dalin nga kriteret politike për anëtarësim në BE, mes tjerash edhe lidhur me avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, të drejtat e komuniteteve, por edhe harmonizimin e legjislacionit nacional me legjislacionin e BE-së, me fokus në  sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike. " thuhet në komunikatën e lëshuar nga BDI-ja.

ASH: Dëshmon obligim efikas drejt BE-së

Edhe nga ASH-ja presin  unitet të partive drejt zhbllokimit të rrugës eurointegruese. “ASH beson se është koha që të bashkohen të gjithë partitë politike, subjektet politike dhe organizatat joqeveritare përmes këtij hapi të rëndësishëm të nënshkrimit të Manifestit të përbashkët, me të cilin të gjithë së bashku do të obligohemi për zhvillim efikas dhe cilësor të negociatave për anëtarësim në BE" thuhet në komunikatën e lëshuar nga ASH-ja.

VMRO-DPMNE: Edhe një fakt që mbulon dështimin

Por për VMRO-DPMNE-në edhe kjo iniciativë duket joserioze dhe  dëshmi për ngecjen në vend drejt integrimit. Përgjigjen  e fundit do t'a japin pasi ta analizojnë dokumentin në fjalë.

“Me këtë hap pushteti edhe njëherë e lëshoi mundësinë për konsensus. Pra, janë ulur Bujar Osmani, Artan Grubi ndoshta edhe Bojan Mariçiqi dhe kanë shkruar dokument që e kanë emërtuar "Manifest" , dhe pasi që  e kanë definuar vetë, nga shërbimi servisor i LSD-së,  në formë të kumtesës e kanë lëshuar në opinion si thirrje  që VMRO-DPMNE-ja  ta pranojë dokumentin tashmë të shkruar. Përveç kësaj, me këtë dëshmojnë se nuk kanë lëvizur asnëj milimetër  në drejtim të realizimit strategjik të interesit shtetëror,  dëshmojnë edhe mungesë të kapacitetit të plotë  të ndërtimit të konsensusit” – u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

"Manifesti" është iniciativë e disa subjekteve politike: LSDM-se, BDI-së, ASH-së, Partisë së re Social-Demokrate, Paritisë Liberale, PDSH-së, Lëvizjes së Turqve, Rindërtimi Demokratik i Maqedonisë, VMRO- Partia Popullore dhe e disa subjekteve tjera politike në vend. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)