Ekonomi
Qeveria ulë çmimet e banesave shtetërore
04.03.2015 14:21
Ulen çmimet e banesave shtetërore. Qeveria ka vendosur ta zvogëlojë çmimin e 192 banesave komerciale në Shkup, Ohër dhe Strumicë...

Ulen çmimet e banesave shtetërore. Qeveria ka vendosur ta zvogëlojë çmimin e 192 banesave komerciale në Shkup, Ohër dhe Strumicë të ndërtuara nga Shoqata Aksionare për Ekonomizim me Hapësirë Banesore dhe Afariste.
Në periudhën e ardhshme në Shkup do të ndërtohen edhe tre ndërtesa me 292 banesa për shitje komerciale.
Më së shumti 100 euro për një metër katror lirohen banesat në Ohër. Në Shkup, në shitje janë 126 banesa, çmimi i të cilave prej 880 euro për metër katror ka rënë në 850 euro.
Zvogëlimi i çmimit të banesave në Strumicë është për 70 euro për metër katror.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, thotë se këto lirime të çmimit të banesave kanë si qëllim afirmimin e projektit “Blej shtëpi, Blej banesë” dhe përmes këtij vendimi u mundësohet qytetarëve banesa sa më të lira.
“Me këtë projekt nuk kemi për qëllim ta dëmtojmë tregun e patundshmërive, duam që të ofrojmë çmime që janë më të volitshme për qytetarët të cilët janë të interesuar për të blerë banesë të ndërtuar nga shteti. Paralelisht me këtë projekt duam që t’i afrojmë qytetarët në projektin e qeverisë “Blej shtëpi, blej banesë”, prej të cilit deri tani janë blerë rreth 470 banesa”- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
Ende nuk dihet nëse kjo ulje çmimi nga ana e qeverisë do të ndikojë edhe në uljen e çmimeve për banesat e ndërtuara nga firmat private.
ERSAN PAJAZITI
