Maqedoni
Përgjimet, Althauser: shkelje e rëndë nëse janë të vërteta
04.03.2015 14:35
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, vazhdon të jetë i përmbajtur në deklaratat mbi përgjimin e mundshëm të tij...

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, vazhdon të jetë i përmbajtur në deklaratat mbi përgjimin e mundshëm të tij, si dhe ofendimet e fundit që i janë bërë në bisedat e fundit telefonike midis Stavreskit dhe Jankullovskës.
Në audio-incizimin të cilin e publikoi lideri i LSDM-së, Zaev, në kuadër të “bombës 6” dëgjohet se si Stavreski për ambasadorin e BE-së, Orav, thotë se nëpërmjet ndihmës në vlerë prej 20 milion eurove ai po tenton të futet në arkën e shtetit. Por, Orav nuk ka dashur as sot të flasë për situatën politike në vend.
“Nuk dua të shtoj asgjë më shumë nga ajo që kam thënë veç më, jemi këtu për tuining-projektin, ndërsa sa i takon situatës politike, nuk kam asgjë më shumë çfarë të shtoj”- deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
Pretendimet e liderit të opozitës, Zoran Zaev, se janë përgjuar gjashtë ambasada më të mëdha në vend janë komentuar nga ambasadorja gjermane, Kristine Althauser. Sipas saj, nëse përgjimet e ambasadorëve janë të vërteta, kjo do të ishte një shkelje e rëndë diplomatike. Por, ajo akoma nuk ka marrë ndonjë dosje nga lideri i LSDM -së.
“Këto janë pretendime serioze dhe nëse këto pretendime të përgjimit janë të vërteta, do të duhet të ketë një hulumtim transparent dhe të pavarur. Sipas Konventës së Vjenës për komunikime të trupit diplomatik, nëse janë përgjuar ambasadorë, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të rëndë. Por, deri më tani nuk e dimë se sa kjo është e vërtetë”- tha ambasadorja e Gjermanisë, Kristine Althauser.
Edhe Bundeastagu gjerman në rend dite ka vënë çështjen e Maqedonisë.
Për amabasdoren Althauser kjo është një gjë e zakonshme pas vizitës së një delegacioni gjerman pas tre javëve në Maqedoni. Përgjimi i ambasadorëve të huaj në vend ditë më parë nxiti edhe reagimin e Brukselit zyrtar.
MERAL ISMAILI
