Maqedoni

“Manifesti”, Besa: Tentativë për manipulim

09.08.2023 14:27

Partitë politike me qëndrime të kundërta rreth “Manifestit”...

Partitë politike me qëndrime të kundërta rreth “Manifestit”. Manifesti për vazhdimin e bisedimeve me BE-në, sipas Lëvizjes Besa është “tentativë për manipulim”.

“Pushteti LSDM, BDI, ASH e të tjera, paskan nënshkruar manifest për negociata me BE-në. I ashtuquajturi manifest nuk është gjë tjetër përveç se tentativë për të manipuluar opinionin, e në praktikë gjithçka veprojnë kundër anëtarësimit në BE dhe vlerave të BE. Derisa nga njëra anë nënshkruhen vetëm letra, a nga ana tjetër rritet korrupsioni dhe pasurimi i familjarëve të Kovaçevskit dhe Ahmetit, BE-ja do na mbajë largë dhe do të mbetet vetëm ëndërr”, thonë mes tjerash nga Lëvizja Besa.
 
VMRO: Është shkruar pa konsensus
 
VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se dokumenti është shkruar pa konsensus. Megjithatë thonë se do ta analizojnë dhe pastaj do të dalin me qëndrim. 
 
“Kanë shkruar një dokument e kanë lëshuar në opinion dhe kërkojnë pranimin e asaj. Nuk kanë lëvizur asnjë milimetër në drejtim të realizimit të interesave strategjike të shtetit, tregojnë edhe mungesën e një kapaciteti të plotë për ndërtimin e konsensusit. Pasi që VMRO-DPMNE ta marrë zyrtarisht këtë dokument, nëse ka ndonjë bazë për shqyrtim, do ta analizojë dhe do të dalë me qëndrimin e vet.”, tha Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Të gjitha partitë ti bashkohen 
 
Sipas LSDM-së manifesti është një bazë e mirë për ndërtimin e unitetit dhe përcakton kornizat dhe qëndrimet që duhet të ndjekin të gjitha institucionet kompetente në procesin e negociatave.
 
 “Tani duhet të bashkohemi rreth këtij Manifesti, me të cilin të gjithë bashkërisht do të angazhohemi për zhvillimin efikas të negociatave për anëtarësim në BE. Ne presim që partitë e tjera politike, e mbi të gjitha VMRO-DPMNE, t'i bashkohen këtij Manifesti dhe në këtë mënyrë të tregojnë dhe të dëshmojnë në veprim se është vërtet për BE-në.”, tha Darko Kaeski nga LSDM. 
 
Musliu: Pasqyron të gjitha shqetësimet e opozitës
 
Ndërkohë sipas analistit Albert Musliu në një shtet normal, efekti i manifestit do të ishte plotësimi i të gjitha brengave dhe kërkesave të opozitës lidhur me ndryshimet kushtetuese, në aspekt të mbrojtjes së interesave shtetërore dhe në aspekt të negociatave me BE-në. Nëse opozita maqedonase është e sinqertë në shqetësimet që i prezenton para opinionit, atëherë sipas Musliut ajo duhet të mbështet këtë manifest, me çka do t’u mundësohej qytetarëve të vendit perspektivë evropiane. 
 
“Të gjitha ato shqetësimet të cilat opozita i prezenton si shqetësime dhe rrezik gjatë procesit të eurointegrimeve janë mirë të elaboruara në këtë manifest dhe me votimin e këtij manifesti me një shumicë dërmuese, ai do të bëhej obligativ edhe për qeverinë, edhe për çdo qeveri të ardhshme. Nëse ai efekt nuk arrihet, atëherë ai qëndrim  është floskulë politike dhe nuk ka të bëjë me të vërtetën ose me qëndrimet e sinqerta të opozitës.”, tha analisti politik Albert Musliu.
 
Musliu thekson se megjithatë VMRO-DPMNE është parti shtetformuese dhe pret që me mbështetjen e ndryshiemve kushtetuese do të arrijë të realizojë më shpejtë edhe insistimin e tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare. 
 
ERSAN PAJAZITI